Parlamenti ka miratuar që projekt ligji për studentët e Mjekësisë të diskutohet me procedurë të përshpejtuar. Në seancën e sotme, u vendos me 64 vota pro që diskutimi të kalojë me procedurë të përshpejtuar ne seancën e datës 20 korrik, e cila është edhe seanca e fundit për këtë legjislaturë.
Kryeministri Edi Rama njoftoi dje se studentët që nisin këtë vit universitetin për mjekësi do të duhet të punojnë pesë vite pasi të kenë përfunduar studimet në vend për t’u pajisur me diplomë. Kontratën me ministrinë e Shëndetësisë dhe atë të Arsimit do ta firmosin dhe studentët aktualë të mjekësisë.
Por detyrimi për ta ndryshon nga ata që nisin tani universitetin për mjekësi të përgjithshme. Studentët nga viti i dytë deri në të katër do të angazhohen për të punuar tre vite në vend ndërsa ata nga nga viti i pestë dhe i gjashtë, dy vite. Nëse nuk janë dakord, mund të paguajnë koston reale të shkollës për vitet e mbetura.