Nga Adelheid Woelfl, DER STANDARD
Kazinoja ‘Flamingo’ e Novomatic në sheshin kryesor të Shkupit gjendet vetëm disa minuta në këmbë larg shkollës fillore ‘Goce Delçev’ dhe shkollës profesionale ‘Kyrill’. Kazinoja u hap në fillim të vitit 2020, shtrihet në katër kate dhe ka 290 makineri lojërash.
Prej vitesh, nismat qytetare dhe partitë kërkojnë që fëmijët dhe të rinjtë të mbrohen nga tundimi për të luajtur bixhoz. Në të vërtetë, në shoqëritë e varfra të Europës Juglindore, kumarxhinjtë kanë shkatërruar shumë familje. Prandaj lojërat e fatit janë ndaluar në Shqipëri dhe në Kosovë. Në Maqedoninë e Veriut, megjithatë, për shkak të rritjes së çmimeve dhe vështirësive të lidhura me këtë, lojërat e fatit dhe bastet provohen nga dëshpërimi- me pasoja shkatërruese. Prandaj, një ligj që u prezantua në parlament në shkurt, parashikon që objektet e lojërave të fatit nuk mund të miratohen brenda një rrezeje prej 500 metrash nga institucionet arsimore, kopshtet dhe shtëpitë e të moshuarve.
“Isha shumë i lidhur”
Megjithatë, ambasadori austriak në Maqedoninë e Veriut, Georg Woutsas, mesa duket ishte më i shqetësuar për biznesin e Novomatic sesa për mirëqenien e qytetarëve maqedonas. Ai ndërhyri në shkurt me një letër drejtuar qeverisë dhe parlamentit duke u kërkuar atyre që të mos vendosin zonat mbrojtëse rreth shkollave. “Unë do të isha shumë i detyruar ndaj jush nëse qeveria do të tërhiqte ndryshimet e planifikuara ose do të përjashtonte investimet e huaja,” shkroi ai.
Ministria e Jashtme në Vjenë u informua më vonë për dërgimin e letrës. Më pas, ambasadori u lajmërua shprehimisht se veprimet e tij ishin të gabuara. Casinos Austria nga ana tjetër, deklaroi se ata kishin kontaktuar ambasadorin sepse ligji i propozuar kishte rrezikuar modelin e tyre të biznesit.
Aktivistët nga lëvizja maqedonase kundër lojërave të fatit shkruanin në mars se Woutsas kishte mbajtur anën e atyre që rrënuan shoqërinë dhe kujtuan se Vjena ka vetëm një kazino. “Ju jeni ambasadori i fundit që duhet dëgjuar për një çështje të tillë,” thuhej në letrën e tyre.
Las Vegasi i Ballkanit
Në një krahasim evropian, një numër veçanërisht i madh njerëzish punojnë në biznesin e lojërave të fatit në Maqedoninë e Veriut; vetëm në Maltë numri është më i lartë. Kjo është arsyeja pse njerëzit ndonjëherë flasin për Las Vegasin e Ballkanit. Por kompanitë austriake të lojërave të fatit kanë gjithashtu një reputacion të dyshimtë në Bosnje-Hercegovinë. Në mars të vitit 2019, për shembull, një ligj për lojërat e fatit u miratua në pjesën boshnjake të Republikës Srpska dhe më pas u shpall një tender që ishte përshtatur për Casinos Austria.