Pesë presidentë të Superligës greke të futbollit kanë vënë baste për ndeshjet e fiksuara sezonin e kaluar, sipas pretendimeve të bëra në një letër anonime të marrë nga Gjykata e Lartë greke, njofton ‘Kathimerini’.

Autori i letrës thuhet se është një agjent futbolli, i cili ia ka dërguar atë Prokurorisë së Gjykatës së Lartë, ku përshkruan mënyrën se si pesë presidentët e klubeve të futbollit kanë vënë baste për ndeshjet fikse të skuadrave të tyre.

Dy prej presidentëve dyshohet se kanë vënë një bast së bashku në ndeshjen mes skuadrave të tyre. Një tjetër kryetar dhe pronar i një klubi futbolli pretendohet se ka vënë bast dy herë (me sukses) për humbjen e ekipit të tij.

Dy të tjerë vendosën baste për rezultatet e ekipeve të tyre në minutat e fundit të ndeshjeve. Letra thuhet se do të lidhet me hetimet nga Eurojust, Interpol, Prokuroria e Athinës dhe Policia Financiare.