Ministrja për Parlamentin dhe Punët e Shtetit, Elisa Spiropali, thotë se mazhoranca nuk ka hezituar asnjëherë për të vërtetën, as në foltore dhe as në komision hetimor, ku shprehet se vetë kryeministri Rama është përgjigjur për orë të tëra.
Gjatë fjalës së saj në foltore, ministrja Spiropali ka dhënë arsyet pse Konferenca e Kryetarëve nuk miratoi kërkesën e opozitës për interpelancë dhe mocion me debat me kryeministrin Rama për çështjen e inceneratorëve.
Elisa Spiropali: Dua të ju bëj tthirrje punonjësve të Gardës të largohen nga foltorja sepse ne nuk kemi frikë nga ata që kanë frikë nga vetja e tyre. Le të rrinë në foltore sepse ne patëm durimin që sot të dëgjonim mbi 20 deputetë për procedurë, por vetëm për procedurë nuk ishte fjala e tyre. Ne i respektojmë deputetët dhe punën e tyre. Nuk kemi hezituar për të vërtetën as në këtë foltore dhe as në komision hetimor ku vetë kryeministri është përgjigjur për orë të tëra. Nuk është hera e parë që e shpallni këtë qeveri mafie. E keni nisur që në kohën e Nanos e më radhë. “Narkoshtet, grup kriminal, mafiozë, kreu i Meduzës, monstrat”, këto janë fjalët që ju përdorni në kuvend dhe janë për turpin tuaj sepse sa herë që këtu votoheni, populli jua kthen përgjigjen me votë.
Ne e diskutuam në Konferencën e Kryetarëve mocionin me debat dhe interpelancën, për respekt të publikut. Urgjencën nuk e përcaktoni ju, urgjenca është një term që është përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese dhe aktet normative. Ju keni kërkuar mocion urgjent. Gara këtu e urgjencës është mes jush se kush do të flasë i pari dhe jo me çështjen, sepse sa i takon çështjes, ne e kemi dhënë autorizimin për arrest në seancën e mëparshme dhe me votën tonë. Ndryshe nga ju, ne nuk flasim për drejtësinë, ne veprojmë, ne i mbështesim organet e drejtësisë dhe ne nuk bëjmë politikë të ditës me çështje të drejtësisë, por i japim drejtësisë vendin që i takon. Të ishte për ju doktor, do të donit të shpopullonit Shqipërinë dhe të rrinit i vetëm në foltore për ta ja nxirë jetën kujtdo. Kërkoj të vijojmë me rendin e ditës. Kjo mënyrë është shumë e bukur sepse secili nga ata që flet këtu dhe i drejtohet publikut dhe vë fytyrën e vet.