Bajerni po shqyrton dy portierë të rinj për të qenë opsion rezervë për Manuel Nojerin dhe një ndër ta është edhe Thomas Strakosha. Emri i gardianit të Kombëtares shqiptare ka dalë në radarin e gjigantëve bavarezë, të cilët nuk duan të shpenzojnë shumë për këtë pozicion. Siç raportohet nga “Sky Germany”, Strakosha dhe Dominik Kotarski janë diskutuar te Bajerni si alternativa të mundshme.
Situata- Me Jan Zomerin të dëshpëruar për vendin e titullarit përpara kampionatit të ardhshëm Europian, një largim nga Bavaria është pothuajse i sigurt për portierin zviceran, i cili nuk pranon që të jetë zgjedhje e dytë pas rikthimit të Manuel Nojerit dhe mesa duket Interi do të jetë destinacioni i tij i preferuar.
Ndaj, Bajerni ka kërkuar të zëvendësojë 34- vjeçarin me Giorgi Mamardashvilin. Megjithatë, gjermanët që nuk janë të gatshëm të shpenzojnë shumë në këtë pozicion, duke qenë se bëhet fjalë për një portier rezervë, kur ndërkohë kërkojnë të sigurojnë një marrëveshje me Totenhemin për Herri Kejnin.
Kështu që në skenë janë shfaqur emra të tjerë. Thomas Strakosha dhe Dominik Kotarski janë diskutuar nga Bajerni si alternativa të mundshme.
Strakosha e kaloi sezonin e fundit në Brentford, ku pati vështirësi për minuta, duke luajtur vetëm dy herë në gjithë vitin, teksa garoi me portierin spanjoll David Raja, i cili nuk është shitur ende nga klubi anglez, teksa është afruar edhe Fliken nga Bundesliga.
Megjithatë, 28-vjeçari i Kombëtares shqiptare ka një eksperiencë të gjatë mbi supe me Lacion, duke numëruar 208 paraqitje, me 62 rrjeta të paprekura.
Të dyja opsionet sigurisht që paraqiten si alternativa shumë më të lira për Mamardashvilin e Valencias. Rekordmenët mund të kënaqen me Strakoshën ose Kotarskin e PAOK-ut.