Ka degraduar në përdorimin e dhunës seanca e sotme plenare në Kuvendin e Kosovës. Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kanë sulmuar fizikisht kryeministrin e Albin Kurti dhe pjesëtarë tjerë të qeverisë.

Kurti ishte duke folur për situatën në veri të Kosovës, kur fjalimi i tij u ndërpre nga deputetët e opozitës që brohorisnin “rrenc”.

Fillimisht, në drejtim të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi u hodh ujë nga deputeti Mërgim Lushtaku, pasi Bislimi largoi dhe grisi nga foltorja një foto-montazhë të kryeministrit me hundë të zgjatur që opozita ia kishte vendosur aty.

Më pas, situata u agravua me sulme fizike edhe me ministrin e Financave, Hekuran Murati.Para se të sulmohej, Kurti në Kuvend foli për Radoiiqin, dhe se si është tërhequr fletarrestimi ndaj tij në vitin 2021, disa dite para se të formohej qeveria e tij.

“Kur kanë qenë qeveritë e mëhershme, ky kryekriminel ka qenë në Mitrovicë, ka qenë në Prishtinë. Tash, kontributi ynë, është që është në një hotel në Kopaonik, në Serbi”.

Opozita ditëve të fundit, sikurse edhe në këtë seancë, ka qenë kritikuese ndaj pushtetit pasi në mediat në Kosovë kanë dalë përgjime të shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ku ajo ka pranuar që ka zhvilluar një bisedë me nënkryetarin e Listes Serbe, Milan Radoiçiq.

Kurti ruajti qetësinë duke mos reaguar, ndërsa kryetari i Kuvendit kërkoi policinë të ndërhyjë.