Rreth 30 mijë votues të Rrogozhinës janë thirrur të dielën që të shkojnë pranë kutisë së votimit për të zgjedhur kryetarin e bashkisë.
Kandidatët janë të njëjtët si në 14 maj: Edison Memolla nga Partia Socialiste dhe Shkëlqim Hoxha nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”.
Aty PS fitoi me një diferencë të ngushtë prej 30 votash, por opozita u ankua se ky rezultat ishte përmbysur nga vota e të burgosurve në këtë qytet, të cilët nuk ishin banorë të Rrogozhinës.
Kolegji Zgjedhor e pranoi këtë argument dhe urdhëroi përsëritjen e zgjedhjeve.
KQZ thotë se ka marrë masa që të mos ketë më probleme me identifikimin e zgjedhësve.
Të dielën do të hapen 54 qendra votimi dhe sipas Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve partitë nuk kanë shkaktuar probleme me sjelljen e komisionerëve.