Nga Kristo MËRTIRI/
Gjatë 5 dekadave me penë nëpër lëndinat e Gazetarisë Profesioniste, përgjithësisht kënaqesha kur kuptoja se më lexonin edhe ata që më donin, por edhe ata që ndoshta nuk më donin. Sot sikur i shikoj më afër e më shpesh në internet ku zbrazen rrëkera e baltovina anonime. Me disa kokrra që tashmë ua njoh stilin shpellor, vë buzën në gaz dhe e kaloj shkurt me një “pordhi kali në derë të hanit”. Ndonjëri është tëpkë nga ata të djeshmit, që u shkoi jeta pas shpine…Fjala vjen: një këngë popullore e miratuar dhe e vendosur në stendat e Muzeut Historik të Sarandës, për pak më hëngri kokën 40 vite më parë(më gjerësisht do e shkruaj së shpejti publikisht). Dhe nuk ishte aspak faji i këngës së bukur. Dhe as imi që më pëlqeu dhe e komentova në një rubrikë të ish gazetës “Bashkimi”. Por letraxhinjtë e pacipë e tepër “vigjilentë” dhe me kostum “patrioti”, e dërguan helmin jo dokudo por në majë të “Olimpit” në Kryeqytet. Ultimatumi që mu dha me gojë e me shkrim nga ndonjë palo drejtues, që në pluralizëm dolën spiunë të regjur të Sigurimit të Shtetit, nuk linte asnjë shteg diskutimi a debati: Duhej të mbrohesha brenda një jave! Përndryshe…Përfytyroni një gazetar 30 vjeçar, përballë rrufeve që mund të binin pa mëshirë nga “lart”. A kisha këllqe të mbaja në kurriz “gurin e Sizifit” ?…Veçse sa herë shkoja brenda apo pranë Kalasë së Gjirokastrës(qysh në shkollën e mesme Pedagogjike “Pandeli Sotiri”), më bëhej se dëgjoja thekshëm edhe ate trokëllimën e valles së moçme “bodrumce” nga ish-qelitë e tmerrshme të burgut. E kanë hedhur atë valle shpirtndezur mjaft luftëtarë antizogistë e antinazifashistë të betuar. Luftëtarë që u digjej shpirti për mëmëdhenë. “Që nga errësira mesjetare e kështjellës(në imagjinatën time), sa vinte e fuqizohej ritmi në trajtën e një valleje të quajtur Bodrumçe, e lindur prej mundimeve të njerëzve të burgosur nëpër shekuj, për të vetmin faj se dëshironin Lirinë”,- shprehej shumë kohë më parë nga Bostoni i SHBA, një kolegu ynë i nderuar, shkodran 24 karat. Por Liria nuk dhurohet ! Historikisht kështu…Nuk është thënë kot se kjo Kështjellë,”ky monument madhështor i forcës shqiptare ka një elegancë të çuditshme”. Dhe këtë elegancë e pasuruan më tej grupet e 12 qarqeve. Mbi 1200 vetë tundën skenën e sallën natyrore, që natën dukej si një vapor gjigant i përmbytur nga këngët, valet e meloditë bio shqiptare. Pa harruar kurrë një nga hartuesit dhe zbatuesit kryesorë të kalasë, mjeshtrin Petro Korçari. Në kohën e Ali Pashë Tepelenës, u ngrit edhe ujësjellësi 10 kilometra i gjatë. Ujë i pijshëm nga mali i Sopotit. Por…u dëmtua gjatë regjimit anadollak zogollian! Më vonë u ngrit edhe Muzeu Kombëtar i Armëve, ku frëngjitë e topave i dalin zot luginës tej e tej. Vetë mbrohet nga 7 kulla…
Fjala vjen, në ato qeli zezona më 10 Maj 1939, ashtu me pranga në duar syrgjynosën babanë tonë të sapofejuar, menjëherë pas Protestës së Parë Punëtore Antifashiste te Ura e Bëncës në Tepelenë. Ditën që erdhi ministri Italian i Punëve Botore. E arrestuan, e dënuan dhe e internuan në Guroren e Shëngjinit në Lezhë,” për propagandë të rrezikshme kundër Fashizmit”…Ç’kanë parë e ç’kanë dëgjuar muret e kësaj kalaje hijerëndë ! Gjurmët e vajzave partizane heroina Bule Naipi e Persefoni Kokëdhima, janë atje. Tortura çnjerëzore, britma lirie, vraga gjaku, por edhe këngë trimërie e vajzërie. Asnjë kthim prapa, deri sa i varën në litar te “Sheshi i Çerçizit”. Kërcisnin gjer vonë edhe degët e rrapit të vjetër nga dhimbja ! Ndërsa pushtuesve dhe sahanlëpirësve të tyre as që iu drodhën qerpikët, e as iu mjegulluan sytë e skuqur si ujkonja përballë dy vajzave labe me ideale të kulluara atdhetarie. Shembuj të tillë e mjaft të tjerë i bëjnë nder botës së qytetëruar, Europës e Perëndimit. Këngët dhe vallet e sotme popullore, lirike e epike, i kanë themelet te ata tinguj të përgjakur që derdheshin për një Botë të Re. Historia nuk harron. Ajo gjëmon dhe mban shënime në breza. Dëgjojmë nga “lëmi” i Festivalit. Vini veshin:”Ilirisht që nga mademi/ Dheut tënë,mëmë i themi./ Edhe në hënë të vemi/ Kokën prapë këtu e kemi !…”. Është i mirënjohuri grup “Gurra e Picarit” që thërret me zemër: Do ta bëjmë Shqipërinë ! A e dini kush ligjëroi si bilbil ? Vetë Shkëlqim Guçe kapedani, kryetar i Komitetit të Veteranëve e Pasardhësve të rrethit. Njeriu që tërë jetën ia kushtoi Kulturës, traditave më të mira, mbajtjes gjallë e pasurimit të artit popullor. Mirëpo Folklori magjik shqiptar nga Jugu në Veri, nuk ndrin vetëm një herë në 5 vjet. Përkundrazi. Ai rrjedh natyrshëm si ujëvarë e bardhë nga bora në male. Nuk mund të harrohet kur në duart e njerëzisë erdhi “Bleta Shqiptare” e Thimi Mitkos, si përmbledhja më eplotë e shekullit XIX. “Hapet me proverbat dhe vazhdon me gjëzat, emrat e njerëzve; këngët e ritet e ditëve të shënuara të vitit; këngët e dasmës, të dashurisë, të trimërisë, këngët gegërishte; përrallat dhe mbyllet me një fjalor shpjegues të fjalëve krahinore që përmbajnë tekstet folklorike”. Ndërsa në prag të Çlirimit dolën në dritë 15 vëllimet “Visarët e kombit” etj.
Rimëkëmbja e vendit të djegur e të shkatërruar nga pushtuesit, nuk ngeci vetëm te shtëpitë, urat apo rrugët. Udhëheqja e kohës bëri thirrje publike për të prodhuar edhe më tepër bukë, arsim e kulturë. Ngritja e Instituteve të posaçme të Folklorit, Kulturës Popullore e të Arkivit enciklopedi madhore e trashëgimisë, rritën më tej nivelin shkencor, sasinë e cilësinë. P.sh. breza të tërë studentësh të Fakultetit Histori-Filologji rrëfejnë sot e kësaj dite për një burrë të veçantë gjirokastrit që përgatiti tekstin e parë mësimor për Folklorin. Është fjala për Prof. Zihni Sako (babai i Miroshit të mirë që mbylli sytë herët), ish-partizanin modest e punëtor i rrallë. Kur linda unë, ai botoi novelën “Bereqeti”…Nderim pa fund u takon studiuesve të Folkoristikës letrare, muzikore e koreografike, shqiptarë e të huaj. Që nga F.Bardhi, N.Filja dhe gjer te arbëreshët si Darenjtë, V.Dorsa, Dh.Kamarda e padyshim J.De Rada aq i dashur. E pastaj Z.Jubani, S.Dine, J.Han, Lamberc etj. Dhe deri vonë pedagogu ynë A.Uçi, Q.Haxhihasani, J.Panajoti, A.Xhagolli, F.Rrapaj, K.Harito etj. Ose në Kosovë, Anton Çeta me shokë dhe vetë Instituti Albanologjik i Prishtinës. Një fakt: deri në vigjilje të pluralizmit ishin botuar jo pak por mbi 20 vëllime në 5 seri ! Themele jo dosido…
Poeti popullor i vërtetë është një sqimatar estetik jo i rëndomtë. Mjaft figura letrare të përkora, befasuese e tronditëse flasin dhe do të flasin shumë. Edhe në Festivaline tanishëm, vërshuan talente të reja në këngë e valle. Stafeta e sigurt e ardhmërisë u duk edhe te moshat e reja. Që nga fëmijët. E kush nuk u kënaq nga 13 vajzat valltare të Përmetit e Këlcyrës. Ku shpaloseshin hijshëm kostumet e Dëshnicës, Malëshovës, Cerjes, Dangëllisë, Rrëzës e Shqerisë. Apo njëmbëdhjetëshja e mirënjohur e sazeve me në krye Josif Shukallarin, Ylli Muçon e Qako Vangjelin. Mjeshtri Cife lë punën e krahut në Janinë, shkon në Iljarë të Përmetit me bashkëshorten Marianthi dhe sikur mbledh zërat e bilbilave në pyje e i sjell me klarinetë në skenë. Por më parë jo rrallë interpreton e këndon bashkë me Maron, sic bënte dikur me mësuesin, usta Laverin e dashur që sot prehet në Bolëngë. Luljeta Ilia la punët e hallet në Gjermani dhe ia hodhi e priti këngës në Gjirokastër. Bashkë me Adrianën, emigrante në Athinë. i thërret zëri i të parëve, vatra e herëshme popullore përmetare ku u rritën e morën emër të mirë. Bashkë me Evgjeninë nga Tirana. Por ah, për herë të parë mungon Jareku ynë i nënë Ismetes, llahutieri e këngëtari që më përcolli 4 vite më parë në qytetin e luleve. Dhe pas dy muajve, iku përgjithmonë…Emocionet që krijojnë me interpretimet e tyre Sadik e Alban Zeqiri, Agron e Aurel Nurka, i kam provuar vetë dhe me kolegët e mi gazetarë.
Festivale të tillë janë edhe një lloj testament shpirtëror i patjetërsueshëm. E mbi të gjitha, për kohët që jetojmë janë edhe një sfidë dinjitoze “ndaj subkulturës, hiçartit”(siç do thosh me të drejtë libohoviti kokëplotë, i paharruari Moikom Zeqo), që mbush ditë e natë mjaft kafene të Tiranës e gjetkë ! Por festivalistët, ndoshta nuk e mësuan dot autorin e vërtetë të valles madhështore të kalldrëmeve që hapen e mbyllen si fustanella apo si qilima të qëndisur për çdo gur. Në Qafën e Pazarit takohen 5 rrugë. Por njerëzia, banorët e vjetër e të rinj të Gjirokastrës dhe më gjerë, kujtojnë gurgdhendësin legjendë, heroin e dashur Simi Llukani. Me rrënjë nga Koblara e Dangëllisë. Nga vendlindja e Odise Paskalit të madh. Fëmijët e djeshëm të qytetit të gurtë, janë gjallë. Dhe mërmërima fëminore mbetet: “Çak e çuk troket çekani,/ Bën kalldrëm Simi Llukani…”.Shumë prej tyre “vodhën” zanatin e tij, por kurrë lartësinë e Heroit të Punës ! Tregimet e Çerciz Dumit, Fetah Kores, Bajram Zhulit, Thimjo Xanit, Teki Dalani etj. rrëfejnë mjaft për xha Simin, që gjithë gjirokastritët i hiqnin kapelen. Mbahet mend ende: Gurgdhendësit nuk pranuan asnje veturë shtetërore që të merrte trupin e tij në arkivol. E mbajtën vetë mbi supet punëtore, ecën ngadalë nëpër kalldrëme, deri te shtrati i topit ku prisnin zyrtarë e qytetarë. Lotët e pionierëve që kishin punuar vullnetarisht me të, sikur pikonin nga qielli mbi Koblarën e Dangëllisë dhe mbi mëhallat e qytetit të dhembshur, e sidomos te kalldrëmi që të conte te 7 krojet…”Kur do shkonim të punonim te Blloku i Udhëheqjes në Tiranë, më pyetën për biografinë e Tekiut nga Lazarati, u thashë vetëm kaq: Unë dal garant që tani vetëm për çekanin ! Dhe për duart që i kullojnë flori…
Ad
Gjatë ditënetëve të Festivalit, jo rastësisht kujtuam njeriun që vuri në valle kalldrëmet gjirokastrite. Ai ishte dhe mbeti “Qytetar Nderi” i veçantë. Një model ndershmërie e profesionalizmi i rrallë. Sa shumë e deshi atë qytet të cuditshëm !…Te rruga “Vllazën Huta” në Tiranë, dëgjoj herë pas here një zë krenarie:”Po ku je moj bilë(vajzë) e Simi Llukanit ?!”. Kështu e thërrasin Natashën, bashkëshorten e ish-ushtarakut dinjitoz Dhori Prifti. Ajo qesh, falenderon dhe vazhdon punën me organizatën e veteranëve e të pasardhësve. Por edhe me Dëshmorët e Atdheut. Për Kryeqytetin tonë, për çlirimin e tij ka falur gjakun dhe jetën e tij edhe Petro Llukani. Bashkë me Pandeli Dallën 14 vjeçar nga Skoreja e Pogonit, pa vënë ende brisk në faqe. Nënë Vasiliqia ligjëronte me lotë e ligje rrënqethëse edhe për gurët e drurët. Ndërsa nga qielli i Dukagjinit, në orët e fundit të Çlirimit, do të këputej një yll 15 vjeçar, partizani hero Çelo Sinani. Gjëma dhe kuja e një partizaneje labe çau gjokset e të gjallëve dhe drodhi eshtrat e të vdekurve. Vetë malësorët i ngritën këngën:”Kush lufton në atë breg/ Çelo Sinani vetë i tretë…”.Po kuqonte Liria ! Por…pluralizmi rrumpallë nisi me varrim-ç’varrime, me prishje lapidarësh e simbolesh flakërimë ! Turpe që nuk shlyhen lehtë. Gjaku i tyre nuk bëhet kurrë ujë ! Kohëra pa kohë. Sot, vërtet nuk ka heronj dhe “ka vetëm pehlivanë”?! Mund të shkulësh e të djegësh mjaft gjëra nën çizmet e pushtpushteteve që vijnë e shkojnë. Por këngët dhe vallet e popullit nuk i shkul dot nga zemrat, nga tempulli i përjetshëm i Lirisë !…