Kryeministri Edi Rama, në kuadër të turit ballkanik për Iniciativën e Berlinit, ka mbërritur në Malin e Zi.

I dërguari Top Channel, gazetari Muhamed Veliu, i cili po e ndjek këtë tur raporton se në Podgoricë, kryeministri Rama u prit nga Filip Adžić, Ministër i Brendshëm dhe i Mbrojtjes së Malit të Zi, Boris Marić, Sekretar i Përgjithshëm i Qeverisë së Malit të Zi dhe Ridi Kurtezi, Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Malin e Zi.
Gjatë qëndrimit disa orësh në Malin e Zi, kryeministri Edi Rama takohet me kryeministrin Dritan Abazoviç, me të cilin do të ketë edhe një konferencë për shtyp.

Agjenda parashikon edhe një takim bilateral me presidentin e Malit të Zi Jakov Milatoviç. Pas Malit të Zi ndalesa e fundit e këtij turi ballkanik do të jetë Beogradi, nga ku rreth orës 19:30 pritet nisja e takimit biletaral me presidentin Aleksandër Vuçiç.
Ky tur ballkanit i kryeministrit Edi Rama, thotë gazetari Top Channel Muhamed Veliu, po shoqërohet nga një kontrast tejet i fortë mes asaj çfarë ndodhi në Prishtinë, ku Rama u prit në aeroport nga një zyrtar i thjeshtë i presidencës dhe një zyrtar i protokollit dhe me ata që e pritën në vendet e tjera.
Në Shkup, Rama u mikprit nga zëvendës kryeministri Artan Grubi. Në Sarajevë, nga Ministri i punëve të Jashtëme Elmedin Konakovic. Në Podgoricë, u prit nga ministri Punëve të Brendshme. Ndërsa në Beograd gjatë mbrëmjes të së premtes do të pritet nga ministrja e Integrimit.