Shqipëria po vizitohet gjithnjë e më shumë nga vizitorë të huaj gjatë gjithë vitit. Por shifrat në këtë sezon veror duket se janë më optimiste se vitin që lamë pas.

“Për muajin qershor kemi një rritje rreth 35% të turistëve të huaj, e theksojë pasi turistët e huaj janë individë të cilët vijnë dhe sjellin dhe turistë të tjerë,që do të thotë ka premisa që ky 35% të kalojë dhe 40 madje dhe 50% në vitet e ardhshme. duke qenë se turizmi është një sektor strategjik, ka dhe tepër të hyra qoftë për biznesin por qoftë dhe për qeverisjen lokale”, thotë ekspertja e ekonomisë Romina Radonshiqi. Sektori i turizmi është një kontribues shumë i rëndësishëm edhe në ekonominë vendase, shtimi i strukturave akomoduese si hotele dhe bujtinave tregon se pushuesit që kërkojnë të zbulojnë Shqipërinë po ndikojnë pozitivisht në të ardhurat e vendit tonë.

“Shohim një tendencë kohët e fundit që dhe individët, patjetër që dhe bizneset kanë investuar në hoteleri madje dhe në struktura akomoduese, apartamente për ti dhënë më pas për qëllime biznesi për turizëm. Turizmi ndikon në nivelin mikro dhe makro por nuk duhet të harrojmë që turizmi ndikon shumë dhe në të hyrat lokale të cilat më vonë shpërndahen dhe investohen në vendet ku ka bum turistik”, shpjegon Radonshiqi.
Sipas shifrave të Bankës së Shqipërisë, turistët i sollën 435 milionë euro gjatë tremujorit të parë te 2023-shit, një shifër rekord për periudhën.