Prokuroria e Vlorës njoftoi ditën e djeshme (11 korrik) se i ka mbyllur zyrtarisht hetimet për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Potam të Himarës një vit më parë.
Ish-zyrtari i Policisë së Shtetit do të shkojë në gjykatë ku do të gjykohet për vrasje me dashje në mënyrë indirekte, teksa me skafin e tij doli në breg për të sjellë familjen e tij dhe i mori jetën një të miture e cila kishte ardhur nga Anglia të bënte pushime në jug të vendit.
Por bashkë me autorin e asaj ngjarjeje që tronditi të madh e të vogël në vendin tonë, prokuroria e Vlorës nuk ka ngurruar të çojë në gjykatë edhe disa punonjës policie të cilët dyshohen se e shpërdoruan detyrën duke e lënë shefin e policisë të hynte dhe të dilte sipas qejfit me mjetin e tij të rrezikshëm në mes të pushuesve. Tashmë do të jetë gjykata e Vlorës ajo që do të vendosë jo vetëm mbi fatin e Arjan Tases, por edhe të disa efektivëve të tjerë të Policisë së Himarës.
MBYLLJA E HETIMEVE
Më shumë se 11 muaj ju deshën prokurorisë së Vlorës të hetojë për vdekjen tragjike të 7-vjeçares Jonada Avdiaj që lahej në plazhin e Potamit në Himarë, 2 gushtin e vitit 2022. Ish-efektivi i Policisë Arjan Tase që lundronte me skaf erdhi buzë deti dhe e përplasi për vdekje të voglën.
Organi i akuzës e mori zyrtarisht të pandehur ish-efektin, që tashmë do të përballet me drejtësinë për akuzën e vrasjes me dashje në mënyrë indirekte. Për këtë vepër penale, parashikohet dënim maksimal deri në 15 vite burg. Sipas Prokurorisë, Tase nuk ka respektuar zonën e kufizuar për pushuesit, e cila nuk duhet të kalohet nga mjetet lundruese, dhe ka bërë manovër të gabuar gjatë drejtimit të skafit, duke përplasur për vdekje 7-vjeçaren në plazh, disa metra larg bregut.
Në bankën e të akuzuarit do të ulen edhe 8 policë të tjerë për shpërdorim detyre, që Prokuroria e Vlorës i gjen me përgjegjësi për vdekjen e pushueses për shkak të masave që duhej të kishin marrë për sigurinë në plazhe gjatë sezonit turistik. Bëhet fjalë për shefin e kufirit në Vlorë, shefin e Policisë Kufitare në Dhërmi, 3 efektivë me detyrë trupa shërbimi në mjet lundrues, të ngarkuar me kontrollin e vijës bregdetare në Dhërmi, specialisti i rendit në Komisariatin e Himarës dhe 2 përgjegjës dhe punonjës të Policisë Bashkiake të Himarës.
Jonada Avdiaj jetonte jashtë shtetit me familjen, por ishte kthyer në atdhe për pushime. Tase më herët ka qenë ish-shef i Policisë në Himarë, ndërsa kur ndodhi ngjarja ai mbante postin e shefit të Policimit në Elbasan, por ish-kryepolici Gledis Nano e përjashtoi përfundimisht nga Policia. Për këtë ngjarje u shkarkua i gjithë zinxhiri drejtues i Policisë Kufitare të Vlorës, si edhe inspektorët përgjegjës.
SI NDODHI NGJARJA?
Ngjarja e rëndë ndodhi më 2 gusht 2022 në Plazhin e Potamit në Himarë, ku 7- vjeçarja Jonada Avdia, u godit për vdekje nga një gomonia me drejtues policin Arjan Tase, teksa ajo po lahej në det. E mitura u përplas fillimisht nga pjesa ballore e gomones dhe më pas trupi i saj është prerë nga helikat duke ndërruar jetë në vend.
Fëmija, me origjinë nga Tropoja jetonte jashtë shtetit me familjen e saj në Angli, por ishte kthyer në atdhe për pushime. Tase ka qenë ish-shef i Policisë në Himarë, ndërsa kur ndodhi ngjarja ai mbante postin e shefit të Policimit në Elbasan, por Gledis Nano e përjashtoi përfundimisht nga policia. Për këtë ngjarje është shkarkuar i gjithë zinxhiri drejtues i Policisë Kufitare të Vlorës, si edhe inspektorët përgjegjës.
POLICËT E AKUZUAR PËR SHPËRDORIM DETYRE
Fatos Muka – shef i Sektorit të Kufirit, Vlorë
Neritan Buzi – shef Stacioni i Policisë Kufitare,
Dhërmi Lavdosh Alushaj – trup Shërbimi Kontrolli në bregdet
Bardhyl Mahilaj – trup Shërbimi Kontrolli në bregdet
Kristi Halili – trup Shërbimi Kontrolli në bregdet
Adhurim Duraj – specialist Rendi në Komisariatin Himarë
Bardhosh Alikaj – punonjës i Policisë Bashkiake Himarë
Altin Bunaj – punonjës i Policisë Bashkiake Himarë