Në takimin me banorët e fshatit Lekaj në Rrogozhinë, drejtuesi politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj tha se vetëm kandidati socialist, Edison Memolla, do e çojë Rrogozhinën përpara dhe jo ata që djegin dhe shkatërrojnë shtëpinë e tyre.

“Ata çfarë i bënë Shqipërisë, ia bënë edhe selisë së tyre, shtëpisë së tyre. Por dua t’ju kujtoj që, në ditët e vështirësisë, gjithë këta milionerët s’ishin këtu. Ku ishin këta milionerët kur ra tërmeti? Sa shtëpi bënë pas tërmetit këta milionerët që sot janë gati të blejnë vota sikur të jenë keca? Po për pandeminë ku ishin? E kuptoni që këta kur vjen fatkeqësia, rrinë në Tiranë te selia? Kur gjërat shkuan keq, kur ne kishim karantinë dhe kishim nevojë për vaksina, e kur ne kishim tërmetin, ne kishim nevojë për shtëpi, Partia Socialiste dhe gjithë skuadra jonë, ishte këtu me njerëzit. Ne nuk na duhen njerëzit sot që është diell, na duhen njerëzit kur bie shi, kur bie tërmet, kur vjen fatkeqësia, kur vjen sëmundja, ndaj na duhet Partia Socialiste”, tha Veliaj. Ndërsa, për Sali Berishën dhe Ilir Metën, Veliaj tha se sapo mbaruan zgjedhjet ata bënë edhe njëherë atë që dinë të bëjnë më mirë, që është përçarja.

“Sa mbaruan zgjedhjet, Saliu me Ilirin u përçanë prapë. Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, kërkesa e parë në rendin e ditës ishte të ndahet grupi “Bashkimi për Fitoren”, se është zënë Saliu me Ilirin. Përpara u zu Saliu me Lulin. Ju kujtohet? Demokratëve po e po, por edhe ne socialistëve na kujtohet sesi e shqyen shtëpinë e tyre. Ju kujtohet në 8 janar? Vajtën shqyen shtëpinë e tyre. Vajtën, si vëllai të shkojë të djegë shtëpinë e vëllait të vet. I shihje aty para Bashkisë së Tiranës me shkopinj bejsbolli. Thashë kushedi, do shpikin lojë të re, se Tirana është Qyteti Europian i Sportit, kurse ata bejsbollin e kishin për të rrahur njëri-tjetrin. Pra një familje që bëhet çorap, që djeg shtëpinë e saj, një forcë politike që rreh kolegun e vet, vëllain e vet, sado ta kenë emrin demokratë, vetëm demokratë nuk janë. Të gjithë demokratët që e kanë kuptuar se ata që nuk rregullojnë dot shtëpinë e vet, nuk i rregullojnë dot shtëpitë tona dhe prej këtij kuptimi keni ardhur në familjen tonë, unë ju them mirë se keni ardhur në një familje që i trajton të gjithë me respekt”, përfundoi Veliaj.