11 persona janë vënë në hetim penal në Sarandë pasi kanë ndërtuar pa leje në zonën e Ksamilit. Në kuadër të operacioni ‘Coastline’, janë vënë në hetim Filip Fermanis, Korab Çekici, Gentian Hasani, Enver Dibra, Ervin Jorgo, Gramoz Abedini, Majlinda Qirjazi, Olsi Borava, Thoma Bogdani, Vaso Mekshi dhe Loert Kapushi, të cilët ndërtuan pa lejen e organeve komptente.

Siç njofton policia e Sarandës gjatë kontrolleve në zonën e Ksamilit, këta shtetas janë konstatuar nga shërbimet e Policisë, duke kryer punime të ndryshme ndërtimi, pa lejen e organeve kompetente, disa prej tyre edhe në tokë publike, duke zënë kështu hapësirën publike.

Policia thotë se kontrollet do të vijojnë në të gjithë vijën bregdetare të qarkut Vlorë, me qëllim konstatimin e ndërtimeve të paligjshme, si dhe për goditjen e çdo krimi tjetër kundër mjedisit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm” dhe “Pushtimi i tokës”.