Nga Kristo MËRTIRI/

Sa herë shkoj në Përmetin tim të dashur ose kur bisedoj me qytetarë nga ajo nahije dhe më tej, në memorie më troket e më trishton ende ikja e një Akademiku të shquar. Iku befas, në mes të qytetit buzë Vjosës. Thonë se edhe vetë lumi shekullor egërshan e ëngjëllor, u turbullua dhe lëshoi shkumë hidhërimi. Zemra e tij pushoi së rrahuri, pak pasi foli publikisht në një përvjetor të Naim Frashërit. Foli bukur e plot pasion, me shpirt, në veprimtarinë gjurmëlënëse të pagëzuar “Nata e Bardhë Naimiane”, organizuar nga Shoqata Atdhetare Mbarëkombëtare “Vëllezërit Frashëri”. Lotët e poetit Xhevahir Spahiu me shokë, pikuan vetiu pikë-pikë. Sepse Jorgo Bulo “la shumë për të jetuar gjatë”, si në fushën e filologjisë dhe sidomos në historinë e letërsisë shqiptare. Që mga Naimi, Cajupi, Pashko Vasa dhe gjer te Ali Podrimja etj. Studimet albanologjike do i referohen në breza. Brenda e jashtë Shqipërisë që e deshi aq shumë. Për vlerat e tij të ndritura shkencore e morale foli zëdridhur Profesori i nderuar, Rexhep Qosja dhe deri te studentët e pedagogët e Universitetit të Napolit. Jo më kot gjuha shkon ku dhemb dhëmbi. : C’u bënë mjekët e specializuar në Kardiologji, Gjinekologji, Kirurgji etj.? Dhe në rastin konkret nuk është fjala thjesht për Përmetin. Sepse aty ka kohë që mund të mbetesh si peshku në zall dhe t’i kërkosh ndihmë vetëm Zotit ! Askush nuk e di se c’farë bie sahati. Duhet të shkosh në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës (?!). Mjerë kush ka nevoja urgjente për Urgjencën kardiake ! Ose më tej. Ku do shkojnë gratë dhe nuset e Dëshnicës, Dangëllisë, Malëshovës, Cerjes, Shqerisë e ato të Rrëzës për nevoja të ngutshme gjinekologjike ?…Arratisja e shërbimeve kyce nga Njeriu në fshat e qytet, sikur ka shushatur cdo OJQ, Shoqatë, Sindikatë a parti politike që “përgjërohet” e betohet vetëm për vota kolltuqesh e ulluqesh. E bëra këtë hyrje shkrimi, pas disa polemikave e klithmave të studentëve të Mjekësisë në Kryeqytet. Dhe vecanërisht pas atye thirrjeve ulëritëse se po u “shkelen të Drejtat dhe Liritë e Njeriut”(?) nga Qeveria Rama. Flakët e politizimit i hedhin me furi e përvëlimë në mes të vapës. Dhe kërcënojnë Qeverinë, por edhe taksapaguesit, se në shtator mund të bojkotojnë mësimin në auditore ! Cdo projekt ose vendim ia veshin Kryeministrit . Mirëpo, mëhallaliu im shkodran te Brryli, lëshoi menjëherë anekdotën :”-Për të gjitha të këqijat që ngjanin në një familje, faji i mbettë shërbëtorit plak, Shtjefnit. Thyhej gypi i kandilit, “Shtjefni”; merrte shkrumë darka,”Shtjefni”; nuk piqej buka në furrë,”Shtjefni”! Një natë vonë Shtjefni shef se nusja e madhe jep e merr nëpër shtëpi dhe pyet me kujdes :- C’ka asht, mori bijë, gjithë ky trazim ?

-Kurrgja, more Shtjefën, kurrgja.

-Po ti fol, moj !

-Nuses së vogël i lindi një djalë !

– Mooos,pash Zotin !

-Pse ?!

-Tash po thonë se “fajin e ka Shtjefni” !….

E qeshura përmes kësaj vape nuk na bën keq. Është një lloj freskie psikologjike e aspak rakitike. Po mendja na shkon te studentët, mjekët e ardhshëm. Gjyshërit e tyre morën diplomat ose lanë përgjysmë studimet nëpër botë dhe erdhën në mëmëdheun e shkretuar nga pushtuesit nazifashistë. Disa veshën rrobat partizane, morën pushkën mbi supe dhe luftuan për Lirinë e vërtetë. Por stetoskopët etj. i mbanin bashkë me fishekët në cantë ! Shërbenin përmes erës së barutit, para dhe pas betejave. Të dashur studentë, a e dini se mjaft spitale e pavione nëpër Shqipërinë tonë hallemadhe, mbajnë krenarisht emra mjekësh të tillë ? Nuk besoj të mos u frymëzojë sadopak shembulli i tyre atdhetar e human ! Menjëherë pas Clirimit, a e dini se jetëgjatësia e njeriut nuk i kalonte 38 vitet ?! Dhe deri në vigjilje të Pluralizmit arriti mbi 70 vjec. Kallëpet dhe frazat e luftës politike mbi 30 vjecare, nuk mund të errësojnë sukseset reale të monizmit. Por…”antikomunizmi” kallp që vazhdon edhe sot, u vuri fshesën në teori e në praktikë. Apo dogjën të thatin me të njomin ?…

Isha vetë në Dangëllinë malore. U dëshpërova jo pak. E kisha lënë Frashërin, qendrën e kësaj krahine emërmadhe, me spital, ndihmësmjekë, infermierë e mjekë të dëgjuar; me shkollë të mesme e me konvikt; me shtëpi kulture; shërbime tregtare e komunale; me kopsht e cerdhe fëmijësh etj. Tani ska asgjë.

Gjatë bisedës me disa maturantë të gjimnazeve të Tiranës, u hap edhe problem studneteve te mjekesisë. Natyrshëm, mbajtën anën e taksapaguesve shqiptarë. Madje, një vajzë e re dhe serioze, e tha shkoqur : Mua po mu dha mundësia për studime jashtë në Mjekësi, do shkoj. Por…kurrsesi pasi të ndjek ose mbaroj shkollën e lartë publike në Shqipëri dhe pa u shërbyer asnjë ditë taksapaguesve të vendit tim !…

Mos kujtoni se u mbështesin të gjithë ! Edhe autori i këtij shkrimi refleksion nuk flet nga maja e thanës dhe as nga maja e kalit. Përkundrazi. Jam krenar që shërbeva në dhjetra krahina të vendit. Ndwrkohw tregu I boshatosur nga mjekwt na riktheu “xherahët” e kohës së Perandorisë Osmane. Shikoni si po lulëzon mjekësia “popullore” mashtruese e abuzuese. Mjaft klinika e spitale private janë kthyer në kucedra të pashpirta përballë Njeriut, duke e rjepur për së gjalli fakirfukaranë….

Po Tirana përse u përmbyt nga mjekët e rretheve ? Që nga Poliklinikat qokabërëse me para e pa para dhe gjer te Spitalet. Shumica me “mik” sa një ciflig ! Korrupsion acik ! Më thoni, sa prej tyre kanë konkuruar seriozisht për ato vende pëllumbash ? Organika të fryra e të shfryra. Nga gjithë Shqipëria drejt e në metropol. Fshatrat dhe qytetet e vogla mbetën jetimë me shtetin gjallë ! Kush i hartoi dhe kush i zbatoi këto “polit(h)ika shëndetësore” që në thelb u bëhej thirrje banorëve : Ikni nga sytë këmbët ! Ky është Kapitalizmi që ëndërruam…

Përse e xhveshët fshatin shqiptar nga shumica e shërbimeve publike ? Përse e hapët këtë plagë të rëndë kombëtare ? Dhe mbushët mbi 3 dekada që ligjëroni nga kolltuqet partiake e parlamentare ! Ligjëroni edhe nga klinikat luksoze brenda e jashtë vendit, por edhe nga vilat e siguruara me “rrogën” e shtetit(?). Dhe sot i hungërini vetëm Edi Ramës. Veten tuaj e nxirrni të larë e të shpëlarë me fjalime patetike që tashmë njerëzia qesh e tallet. Dhe kujtoni se mileti nuk ka sy në ballë. Sikur vetëm QSUT-në të krahasoni me qofterinë e pisllëkun e djeshëm apo me gërmadhat e pavioneve ku hidhnin valle minjtë e mushkonjat, mjafton reflektimi minimal…

Së fundi, shumica e studentëve të Mjekësisë duhet të jenë nga rrethet e sidomos nga krahinat që u braktisën poshtërsisht nga pushtetet dhe shteti “social”. Pa dëgjuar vetëm ata “rebelë” të lerë e rritur brenda Unazës së Tiranës ! Nga këta nuk e di se sa janë në Protestën trampolinë për sot e nesër. Po cili është morali i shëndoshë i kësaj gurguleje të pavarur ? E quajta kështu, sepse nëse kanë ngjyer sadopak gishtat partitë politike dhe mercenarët e tyre të rëndomtë, atëherë e gjithë davaja shumëzohet me zero. E përsëris, me zero ! Vetë Qeveria dhe ministria përkatëse nuk mund të mbyten me një pikë ujë nga “krijimi korruptiv i monopoleve private”, duke lejuar të bjerë në koma shërbimi shëndetësor publik nëpër Shqipërinë “rurale”. Një ishbashkëpunëtor i kualifikuar i gazetës “Bashkimi”, studiues jo aguridh, pak ditë më parë jepte disa sugjerime konkrete, të dobishme dhe bindëse për moslargimin e punonjësve të Shëndetësisë. Po a ia vunë veshin krerët e Ministrisë, Komisioni Parlamentar, Kryeministri, e pse jo edhe Presidenti ? Vizioni i vërtetë intelektual u mbyll shtegun veprimeve empirike, nepotike e larg interesave publike. Larg taksapaguesve mjeranë ! Polit(h)ika putanë me poltikanë horra e sorra në Metropol, tani ka dalë sheshit.Shikoni e dëgjoni ekranet. Gjetkë daullja e gjetkë dasma !Nuk është as humor e as qesëndi. Përndryshe,”Dang e dung këmborë e madhe,/ Qumështi gjysëm okare !…Sepse në fund të fundit, shëndeti shkon me kile dhe vjen me gramë.

Mijëra qytetarë të thjeshtë taksapagues, nuk e peshojnë shërbimin shëndetësor me fjalime politikanësh e qeveritarësh. Ngrysen e irritohen edhe përballë pasanikëve të panginjur të klinikave e spitaleve private. Fjala vjen, qytetarët nuk e dinë ende një fakt jo pak tronditës : “Në sistemin arsimor universitar të vendit tonë janë aktualisht 18 institucione që lëshojnë diploma kryesisht për jashtë vendit, shumica nuk kanë as laboratorë dhe as spitale, madje një pjesë në qytete periferike edhe “studentët” i kanë jashtë vendit, d.m.th. janë të llojit al-Kristal (?!)…Më shqip : Fabrika, tregje e pazare për shitje e blerje diplomash ! Kush i kontrollon, apo vetëm paraja-maskaraja që u ka zënë sytë e bulcitë ? Ashtu të korruptuar gjer në grykë, mos vallë trëmben se mos shkelin “të drejtat dhe liritë e njeriut” ?!…