Askush nga ne nuk është imun nga problemet me zemrën, në këto ditë përvëluese.
Vapa është armiku kryesor jo vetëm i personave që vuajnë nga patologji kardiake, por i kujtdo që ekspozohet gjatë, në orët më të nxehta të ditës. Lajmet e verës janë të mbushura me lajme për njerëz që pësojnë arrest kardiak sapo bien në kontakt me ujin gjatë pushimeve.
“Unë mjekohem nga zemra prej 4 vjetësh. E njoh problemin tim, dhe mundohem ta shmang daljen gjatë pikut. Nuk dal pas orës 9. Edhe në plazh qëndroj në çadër dhe nuk futem në ujë të ftohtë. Ilaçet i pakësoj vetëm nëse më thotë doktoresha.”– tha pacientja.
“Personat me probleme kardiake duhet të konsumojnë lëngje, ujë edhe kur nuk kanë etje. Të mos konsumojnë ujë të ftohtë frigoriferi. Nuk duhet të ndryshojnë dozat e ilaçeve pa konsultimin me mjekun. E nënvizoj, pasi në verë pacientët kanë tendencë të pakësojnë dozat. Shumë kujdes duhet të kenë njerëzit që kanë kaluar Infarkt miokardi. Këshillojmë që të shmangin daljet jashtë nga ora 9 deri në orën 19 të darkës, pasi në këto ditë të nxehta është pse ikën dielli ka shumë avuj të nxehtë. Na rezulton se rastet e njerëzve që pësojnë infarkt në det janë persona që nuk janë vizituar ndonjëherë, që nuk janë të vetëdijshëm nëse kanë risk të ulët, të mesëm, apo të lartë apo shumë të lartë. Nëse qëndron për një kohë të gjatë në diell dhe futesh menjëherë në ujë të ftohtë ky është një veprim që nuk i bën mirë zëmrës, e sforcon dhe ka pasoja deri në fatalitet.”– tha Engjëllushe Hasani, Mjeke Kardiologe.