Nga Stavro Dhimitri/
Me siguri ka menduar edhe një huazim gjatë sezonit të ri, pas lajmit se Tirana afroi për fashën e majtë të mbrojtjes Gledi Micin. Bëhet fjalë për Florjan Përgjonin, mëngjarashin e Tiranës që shkëlqeu në dy ndeshjet e Conference League. 26-vjeçari nga Lezha u bashkua me bardheblutë verën e 2021 nga Besëlidhja dhe duket një bast i fituar i drejtuesve.
Me karrierën që më herët i kishte rezervuar vetëm ekipin e vendlindjes dhe Burrelin, edhe vetë Përgjoni duket se e ka pasur dyshime për përshtatjen me ekipin që një sezon më herët kishte fituar titullin kampion në Shqipëri. Fati e deshi që me punë, përkushtim dhe qetësi, Përgjoni të merrte një fanellë titullari për të mos e lëshuar gjatë dy sezoneve të fundit.
I mprehtë në vendosje, me zgjarsi në lëvizje dhe dyluftues në ajër, numri 18 ka vendosur në vështirësi trajnerin Orges Shehi për një vend në formacion. Me siguri durrsaku mendon se “të tilla probleme paça”, kjo për vetë konkurrencën që sjell zhvillimin në ekip.
Me një si Mici dhe Përgjoni në fashën e majtë të mbrojtjes, Tirana duket se ka siguruar për disa sezone një pozicon nevralgjik sa i takon një mëngjarashi, që në këto kohë nuk është e thjeshtë ta gjesh. Me kontratë deri verën e 2024, duket se te Tirana janë të bindur t’i ofrojnë një kontratë të re Përgjonit, në rast se në drejtim të klubit nuk vjen një ofertë e majme për të.
Rëndësinë më së pari të mbrojtësit e ka kuptuar trajneri Shehi, me Orgesin që uli në stol Micin dhe i dha fanellën e titullarit Përgjonit. Florjani nuk zhgënjeu në ndeshjen e kthimit të Conference League, aty ku në Batumi të Gjeorgjisë, Tirana mundi 1-2 Dinamon dhe kaloi në turin e radhës në Conference League, ku i pret Besiktas.
Mbrojtësi ishte ndër më të mirët në fushë, duke bllokuar lojtarin më të fortë të kundërshtarit. Tsitaishvili e kaloi vetëm në një moment, me ish-lojtarin e Dinamos së Kievit që të enjte në fushë ishte hija e vetes dhe kjo falë Përgjonit. Gjeorgjiani nuk ia doli t’i bënte ballë forcës së lezhjanit, me shqiptarin që i shembi skenën lojtarit më të mirë vendas dhe luajti melodinë e tij.
Sezonin e fundit me Tiranën, Përgjoni luajti 42 ndeshje, 32 prej tyre në Superligë; duke shënuar gol dhe asistuar në dy raste. Në 2428 minuta, Florjani u ndëshkua vetëm tre herë me karton të verdhë, duke pasur një tjetër vlerë të shtuar, ndërhyrjet e sakta dhe pa faull.
I qetë dhe me mendjen te puna, me siguri nëse e shihni në rrugë nuk do e njihnit, pasi mbrojtësi nuk ka zgjedhur të jetë mediatik, duke folur në fushë me gjuhën e futbollit. Cilësitë e tij më së miri i di Shehi, që në përballjen e parë kundër Dinamo Batumi e futi si zëvendësues të Micit, me Përgjonin që asistoi te goli i Lushkjës për rezultatin 1-1.
Me merkaton cilësore që ka bërë Tirana, drejtuesit janë “në hall” për formën e Përgjonit, me lezhjanin që pritet të lërë në stol Micin e afruar pak javë më parë. Në dy sezone me Tiranën, Përgjoni ia ka dalë të jetë një herë kampion i Shqipërisë (2021-22) dhe një herë i Superkupës (2022-23).