Carlo Ancelotti do të jetë trajneri i ri i kombëtares braziliane të futbollit duke filluar nga viti 2024. Këtë e ka konfirmuar presidenti i Federatës Braziliane të Futbollit (CBF), Ednaldo Rodrigues, raporton CNN Brasil. Ancelotti aktualisht është trajner i Real Madridit dhe kontrata e tij skadon në qershor të vitit 2024.
Italiani do të marrë postin e trajnerit të Brazilit në Kupën e Amerikës që do të luhet në verën e vitit 2024 në Shtetet e Bashkuara. Deri atëherë, kombëtarja do të drejtohet në mënyrë të përkohshme nga Fernando Diniz.
Pas Kupës së Amerikës, Ancelotti do përgatisë ekipin për Kupën e Botës 2026 që do zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada. Ish-trajneri i Milanit dhe Chelseat do të bëhet i huaji i parë që do të drejtojë Brazilin për gati gjashtëdhjetë vjet. Trajneri i fundit i huaj i Brazilit ishte argjentinasi Filpo Nunez, i cili drejtoi ekipin kombëtar për një ndeshje në 1965.
Me konfirmimin nga vetë presidenti Rodrigues, e ardhmja e Ancelottit duket se është në kombëtaren e Brazilit, pasi ka fituar gjithçka me Realin e Madridit, përfshirë edhe dy Champions League (2013-14 dhe 2021-22).