Ministria e Mbrojtjes përmes një deklarate gjatë kësaj të diele ka bërë me dije se 15 vatra zjarri janë shuar në zona të ndryshme të territorit të vendit, gjatë 24 orëve të fundit.

Në fshatin Krastë, njësia administrative Fushë-Krujë, puna vazhdon për zjarrin e rënë në një sipërfaqe me pisha ku situata është nën kontroll.

“Po punohet me intensitet në vetëm 2 vatra aktive për neutralizimin e tyre. Gjatë gjithë natës dhe pa ndërprerje po punohet në vendgrumbullimin e mbeturinave të qytetit Elbasan, për kapsulimin e vatrave pas zjarrit me përmasa të mëdha, pasditen e djeshme”, shkruan ministri Niko Peleshi.

Ky i fundit ravijëzoi se 71 forca të emergjencave civile dhe efektivë të Forcave të Armatosura nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile kanë bërë të mundur izolimin e vatrave të zjarrit.

“16 mjete zjarrfikëse dhe 10 mjete ndihmëse i janë bashkuar këtij operacioni duke përmirësuar situatën e vështirë të krijuar nga temperaturat e larta që krijohen nga djegia e mbeturinave”.