Fundjava e fundit e gushtit duket se ka zbrazur Kosovën. Me mijëra automjete e qytetarë janë nisur që në orët e para të mëngjesit të sotëm drejt bregdetit, duke sjellë ngarkesë trafiku në segmentin Morinë-Kukës të Rrugës së Kombit.
Kolona e mjeteve kaloi më shumë se 6 kilometra. Të dhënat zyrtare të policisë kufitare flasin për mbi 40 mijë qytetarë të Kosovës, që kanë hyrë në vendin tonë përmes Morinit dhe mbi 10 mijë automjete të vogla e autobusë.
Por numri i qytetarëve dhe mjeteve në hyrje, të paktën nga pamjet mund të jetë shumë më i madh. Siç dihet përgjatë sezonit, policia kufitare e Morinit operon me procedurën e kalimit të kufirit pa kontrolle sipas marrëveshjes së përbashkët ndër qeveritare Kosovë- Shqipëri.
Nga Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit Kukës, janë marrë masa duke shtuar sportele dhe punonjës për të përballuar fluksin e shtuar dhe është bashkëpunuar edhe me Policinë e Kosovës dhe deri më tani sipas policisë kufitare nuk ka patur probleme.