Ndërhyrja e Rusisë në Bosnjë dhe Hercegovinë kalon përmes Republika Srpskës, në Mal të Zi përmes ndjenjave pro-serbe në vend dhe Kishës Ortodokse Serbe, dhe në Kosovë – duke shfrytëzuar dhe ndezur kontestet ekzistuese në veri
Në Ballkan, pothuajse tri dekada që nga heshtja e armëve, nuk është fashitur frika e luftës. Me fillimin e pushtimit rus të Ukrainës, kjo frikë po bëhet gjithnjë e më e fortë. Ndërsa interesimi i shprehur i Rusisë për Ballkanin, i pranishëm edhe para shkurtit të vitit të kaluar, jo vetëm që ka acaruar edhe më relacionet politike në Bosnjë dhe Hercegovinë, madje edhe në rajon, por ka hapur në mënyrë skajshmërisht të prekshme çështjen nëse hapësira jonë do të jetë pika e radhës e zjarrit.
Rusia ia mësynë BeH-së nëpërmjet Dodikut
Aq më parë pasi edhe këtu është kufiri i aleancës së NATO-s: Në fakt, Bosnja dhe Hercegovina iu bashkua MAP-it që në vitin 2009, kurse Presidenca e Shtetit konfirmoi pa mëdyshje përcaktimin për anëtarësim në Aleancë, që është e definuar edhe në Ligjin për Mbrojtjen e BeH-së. Është interesante se dokumentet atëherë janë nënshkruar nga Nebojsha Radmanoviq, si kryesues i Presidencës së BeH-së, përndryshe anëtar i SNSD-së së Milorad Dodikut. Por, pikërisht Dodiku është pika më e rëndësishme ruse në Ballkan dhe në Bosnjë e Hercegovinë.
Pronari i entitetit boshnjak të Republika Srpska, që nuk duhet harruar në asnjë moment, kontrollon kufirin me Bashkimin Evropian. Prandaj edhe aleancën e NATO-s, duke pasur parasysh se kufiri i BeH me Kroacinë është në fakt më së shumti në këtë pjesë.
Nuk ka nevojë të kthehemi në të kaluarën e largët dhe të rikujtojmë bredhjet e Dodikut me ujqërit rusë nëpër BeH, mjafton të ndjekim ditë për dite përbetimin e tij në Nënën Rusi dhe përkuljen gjatë çdo udhëtimi të vogël në Moskë para car Putinit. Nga ana tjetër, se sa shumë kanë nevojë rusët për Dodikun, këtë e ilustron më së miri e dhëna se edhe skandali i padëgjuar që ai i përgatiti Sergei Lavrovit – kur i dhuroi një ikonë të vjedhur – të fshehur nën sixhade. Nga ana tjetër, Perëndimi, megjithëse e mbështet me vendosmëri Ukrainën, mbyll sytë ndaj një syri (ballkanik) dhe ende është në pazarllëk me Dodikun.
Analistët e këtushëm nuk kanë asnjë dyshim: Rusia dëshiron që Ballkani Perëndimor, dhe pikërisht Bosnja dhe Hercegovina, të bëhet një vatër e re krize, jo vetëm për të reduktuar presionin mbi përpëlitjen në baltën ukrainase, por edhe për të pasur atu shtesë për negociata.
“Agresioni rus kundër Ukrainës u transferua shumë intensivisht, në formën e konfliktit të paarmatosur dhe kurorëzimit të shtetësisë, në Bosnje dhe Hercegovinë që nga fillimi i konfliktit atje. Duke qenë se kujtesa e publikut këtu zakonisht nuk zgjat më shumë se shtatë ditë, harruam se me fillimin e agresionit rus kundër Ukrainës përkuan një seri e tërë lëvizjesh antikushtetuese nga autoritetet e Republikës Srpska dhe se praktika e reduktimit të funksioneve të shtetit në fushën e sundimit të ligjit dhe sigurisë nga ana e përfaqësuesve politikë të RS-së në koalicionin qeverisës në nivel entiteti dhe shtetëror, është konstantë e veprimit të tyre”, thotë për “Oslobogjenje” Sead Turçalo, dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit të Sarajevës.
Ai shton se “kësaj duhet shtuar se ambasada e Federatës Ruse i shpalli akt armiqësor autorizimet e anëtarëve të Presidencës për të drejtuar politikën e jashtme, duke konsideruar se politika e jashtme e Bosnjës dhe Hercegovinës duhet të jetë në varësi të qëndrimit të Republika Srpskës dhe vizionit rus të politikës globale”.
Ky incident i ambasadorit Igor Kalabuhov, si reagim i tij ndaj shkuarjes javën e kaluar të dy anëtarëve të Presidencës Shtetërore në Ukrainë, kryesuesit Zheljko Komshiq dhe kolegut të tij Denis Beqiroviq, është vetëm reagimi i fundit nga një seri kërcënimesh të diplomatit rus në Sarajevë. Ka, për të thënë të drejtën, nga pak, në kumtesat që pa mëdyshje përbëjnë përzierje në punët e brendshme të Bosnjë e Hercegovinës.
“Lëvizjet e tilla deri më tani nuk kanë hasur në përgjigje adekuate të divizionit liberal të bashkësisë ndërkombëtare në Bosnjë dhe Hercegovinë. Ai në thelb po rraskapitet duke mikromenaxhuar skenën politike dhe koalicionet e Bosnjë e Hercegovinës, duke injoruar se në rajonin më të gjerë po ndërtohet një bosht joliberal që do të marrë në dorë Ballkanin Perëndimor. Mostrat e këtij boshti mund të shiheshin në mbledhjen e paradokohshme në Budapest”, rikujton Turçalo.
Jasmin Ahiq, dekan i Fakultetit të Kriminalistikës, Kriminologjisë dhe Studimeve të Sigurisë në Universitetin e Sarajevës, çmon se tani janë më të pakta shanset për të destabilizuar disa shtete të Ballkanit Perëndimor sesa para agresionit rus.
“Për shkak të kakofonisë ditore politike që në periudha të caktuara prek zona të caktuara në BeH dhe në rajon, gjegjësisht në Serbi, Kosovë, madje edhe në Kroaci, disa gjëra që po bëhen në frontin e sigurisë disi po kalojnë nën radar. Në radhë të parë kur është fjala edhe për vetë operativën e Aleancës së NATO-s”, thotë Ahiq.
Populli ka frikë.
Serbi: Rreziku ekziston, ama gjasat janë të vogla
Invadimi rus në Ukrainë po vazhdon tash 18 muaj dhe ka fashitur shpresat e të gjithë atyre qytetarëve me orientim pro-rus se “pushtimi i Kievit do të marrë gjysmë ore”.
Sikur edhe më tej po harrohet qëllimisht se sulmi rus ndaj Ukrainës në fakt filloi në vitin 2014, pra nëntë vjet më parë, me aneksimin rus të Krimesë. Sikur po harrojnë akoma qëllimisht se disa serbë vullnetarisht shkuan të luftojnë në anën e Rusisë, atëherë më 2014, si dhe më 2022, dhe sot, më 2023, po shkojnë. Shumë kanë luftuar edhe në grupin famëkeq Wagner të udhëhequr nga Yevgeny Prigozhin, i cili humbi jetën kohë më parë.
Përveç zhgënjimit në efikasitetin e ushtrisë ruse, u rrit edhe admirimi për trimërinë e ushtarëve ukrainas. Paralelisht me zhgënjimin e disave dhe admirimin e të tjerëve, duket se u shtua edhe droja nga një konflikt potencial në Ballkan. Gjithë dekadës së fundit të shekullit XX, i dhanë vulë luftërat në këto hapësira.
Lufta në Kroaci, në Bosnjë dhe Hercegovinë, lufta në Kosovë dhe bombardimi i RFJ-së. Bombardimi zgjati më shkurt. Konfliktet e tjera, fitohet përshtypja, dikur vazhdojnë të jenë të uritura në barkun e disave, sidomos mes Kosovës dhe Serbisë. Dëshira për konflikt mund të shihej më 24 shkurt 2022, kur disa tabloide serbe njoftuan se Ukraina kishte sulmuar Rusinë.
Të njëjtat tabloide shkruajnë rregullisht se “shqiptarët po sulmojnë serbët”, se po “shkatërrojnë manastiret serbe” ose se “i gjithë Perëndimi e urren Serbinë”. Nga gjithçka e sipërshkruar, është logjike frika nga përhapja e luftës ukrainase në Ballkan.
Bashkëbiseduesi i “Danasit”, Dragan Gjukanoviq, kryetar i Qendrës për Politikë të Jashtme, thotë se gjithmonë ekziston mundësia e pasqyrimit të krizës ukrainase te ne.
“Rrethanat brenda BeH-së tregojnë se atje po shkohet drejt një lloji të ashpërsimit të marrëdhënieve mes elitave politike. Marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës janë gjithashtu një temë e ndjeshme. E treta është ndryshimi i Kushtetutës në Maqedoninë e Veriut, shpallja e bullgarëve pakicë etnike. Këtu është edhe problemi i formimit të Qeverisë në Mal të Zi, ku po tentohet që disa aktorë të cilët kanë njëfarë afrie me Moskën të jenë pjesë e kësaj qeverie, ndonëse kjo si duket nuk do të ndodhë”, thotë Gjukanoviq.
Bashkëbiseduesi ynë thotë se për Rusinë, një konflikt i mundshëm në Ballkan mund të përdoret për të larguar vëmendjen nga ndërhyrja në Ukrainë, “për dislokimin e vëmendjes ndërkombëtare dhe përçapje për të forcuar pozicionin e saj kur bëhet fjalë për luftën në Ukrainë”. Për disa analistë, njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare, ndikimi i Moskës përmes Serbisë dhe Kishës Ortodokse Serbe, në vendet e rajonit, veçanërisht në Malin e Zi, tashmë është aksiomë. Dragan Gjukanoviq thotë se ndikimet janë të dukshme edhe përmes sferës mediatike.
Nga ana tjetër, Branka Latinoviq, ambasadore në pension dhe anëtare e Forumit për Marrëdhënie Ndërkombëtare, thotë se ka shumë pak mundësi për të kopjuar skenarin ukrainas te ne.
“Mundësia e krizës ukrainase, përkatësisht e përhapjes së konfliktit ukrainas në Ballkan, është diçka që u paraqit si temë konstante pas agresionit kundër Ukrainës dhe shqyrtimit të mundësive nëse konflikti në Ballkan, i inkurajuar nga disa qarqe nga jashtë, në radhë të parë Rusia, mund t’ju ndihmojë në lidhje me gjithë këtë që po ndodh në luftën në Ukrainë, e cila po zgjatu”, thotë ai, duke shtuar se nuk e përjashton një mundësi të tillë. “Unë nuk mendoj se janë të mundshme luftërat si ato të viteve ’90, por nuk e përjashtoj mundësinë e ndonjë incidenti ose kryengritjeje ushtarake”, pohon ajo.
Jo vetëm që mjedisi gjeopolitik është i ndryshëm, vazhdon Latinoviqi, por të gjitha vendet e rajonit janë integruar në mënyrë gjithëpërfshirëse në sistemin evropian të sigurisë, para së gjithash përmes OSBE-së, si dhe përmes një sërë dokumentesh, që ngërthejnë në vete shumë detyrime. Në fund të fundit, rikujton Latinoviq, ne jemi të rrethuar nga vendet e NATO-s. “Unë as nuk besoj në këtë lloj konflikti, e as se është teorikisht i mundshëm”, shprehet Latinoviq.
Ballkani që nga fillimi i shekullit XXI përbën vijën e demarkacionit midis Perëndimit dhe Lindjes. Gjukanoviq thotë se nga viti 2005 apo 2006 nisi ndasia mes Rusisë dhe Perëndimit edhe për çështjen e Ballkanit dhe se Rusia po e forcon ndikimin e saj në këtë hapësirë.
“Ekziston ai lloj i ndikimit të rëndësishëm të Moskës në Ballkanin Perëndimor. Ata sigurisht që do të përpiqen ta shfrytëzojnë këtë edhe më, pra të ruajnë apo forcojnë praninë e tyre të shtuar gati dy dekada në rajon”, thotë Gjukanoviq.
Branka Latinoviq thotë se për Rusinë, Ballkani është mbështetje në Evropë, krahas Bjellorusisë. Kjo është pak në krahasim me atë që për Rusinë është e domosdoshme për të arritur qëllimet e saj, në radhë të parë për luftën që filloi në Ukrainë, beson Latinoviq, duke theksuar se politika e Beogradit është konfuze.
“Këtë po e shohim në deklaratat e, për shembull, Ivica Daçiqit, i cili përpiqet të minimizojë rëndësinë e pjesëmarrjes së kryeministres në Platformën e Krimesë. Kur keni deklarata të tilla, kjo mund të jetë konfuze. Çfarë është më e përhapur në këtë vend, politika proevropiane apo politika në interes të Federatës Ruse”, pyet Branka Latinoviq.
I pyetur se si do të reagonte Evropa ndaj një konflikti të ri të mundshëm në Ballkan, Gjukanoviq thotë se është e vështirë të jepet një vlerësim se si mund të duket ai.
“Sigurisht, reagimi do të ishte i fortë, nga sanksionet ekonomike deri te izolimi i plotë. Më vonë, ndoshta, do të kishte një ndryshim në pozicionin ndërkombëtar të atyre disa aktorëve”, përfundon Gjukanoviq.
Anëtarësimi në NATO mbron Malin e Zi
Lufta në Ukrainë vazhdon prej 18 muajsh dhe rrezikon stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, gjë që paralajmërohet vazhdimisht nga partnerët perëndimorë, të cilët e konsiderojnë rajonin të ndjeshëm nga ndikimit rus.
Kohë më parë, Komiteti për Ndërhyrjen e Jashtme në Parlamentin Evropian (PE) publikoi një raport në të cilin thuhet se Rusia ka ende ndikim të rëndësishëm në Ballkanin Perëndimor dhe fuqinë për të ndërhyrë në përpjekjet rajonale për pajtim, integrim dhe reforma drejt demokratizimit. Siç vlerësuan ata, ndërhyrja e Rusisë në Bosnje dhe Hercegovinë kalon përmes Republika Serpskës, në Mal të Zi përmes ndjenjave pro-serbe në vend dhe Kishës Ortodokse Serbe, dhe në Kosovë – duke shfrytëzuar dhe ndezur kontestet ekzistuese në veri.
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Bostonit dhe ish-ambasadori i Malit të Zi në NATO, Vesko Garçeviq, thotë se kur bëhet fjalë për Malin e Zi, anëtarësimi në NATO është dëshmuar si mbrojtja më e mirë për stabilitetin e shtetit më të vogël në rajon. Ai përmend se 18 muaj nga fillimi i pushtimit të Ukrainës, mund të flitet për dy skenarë të mundshëm kur është fjala për ndikimin e mundshëm në Ballkanin Perëndimor.
“Nëse pushtimi i Ukrainës do të kishte shkuar ashtu siç kishte planifikuar fillimisht Moska (ndërrimi i shpejtë i pushtetit në Kiev dhe vendosja e një regjimi që do të anonte nga Putini), kjo ndoshta do të kishte përshpejtuar tendencat negative ekzistuese në rajonin tonë. Moska do të inkurajohej të përdorte aleatët e saj politikë në rajon, para së gjithash Beogradin dhe Banja Llukën, dhe t’i trimëronte ata në synimin për të thelluar paqëndrueshmërinë në mënyrë që të mund të inskenohen”, tha Garçeviq për “Vijesti”.
Ai konsideron se Kosova dhe BeH do të paguajnë një çmim veçanërisht të lartë. Siç tha ai, Beogradi do të përpiqet që përmes konceptit të “botës serbe” të inkurajojë më tej forcat centrifugale në Bosnjë e Hercegovinë (Republika Serpska) dhe të provokojë incidente edhe më të mëdha se ato që ndodhën muajt e kaluar në Kosovë. Mali i Zi, sikurse tha ai, po ashtu do të ishte nën goditje, sepse është pjesë e “botës serbe”, por anëtarësimi në NATO u tregua si mbrojtja më e mirë për stabilitetin e shtetit më të vogël në rajon.
“Skenari i dytë është shumë më optimist dhe do të doja të besoja se do të realizohet: invadimi në Ukrainë mund të bindë skeptikët në BE se zgjerimi i Unionit është përgjigjja e duhur dhe më e mirë ndaj paqëndrueshmërisë në Evropën Lindore. Prandaj, zgjerimi i Unionit nuk është vetëm në interes të shteteve të Ballkanit Perëndimor, por është në interesin më të mirë nga aspekti i sigurisë dhe ekonomisë, të Francës, Gjermanisë dhe anëtarëve të tjerë perëndimorë të BE-së”, tha Garçeviq.
Sipas tij, ka disa indikacione se në Bruksel (BE) ky lloj i të menduarit nuk është më incident, por për të po bisedohet si për një opsion të mundshëm. “Refleksionet e skenarit të parë mundëm t’i ndiejmë vjet dhe sivjet dhe do t’i shohim edhe gjatë periudhës së ardhshme. Më mban shpresa se koha për këtë skenarin e dytë do të vijë shpejt”, përfundoi Garçeviq.
Mali i Zi e ka të harmonizuar politikën e jashtme me politikën e jashtme të BE-së dhe rregullisht merr vendime për vazhdimin e masave kufizuese (sanksioneve) të drejtuara kundër personave, subjekteve dhe organeve të caktuara, duke marrë parasysh situatën në Ukrainë. Duke qenë se procesi i formimit të qeverisë së re është duke u zhvilluar në Mal të Zi, BE-ja ka porositur disa herë se nga pushteti i ri pret që të vazhdojë kursin properëndimor të politikës së jashtme.
Çështja e harmonizimit të politikës së jashtme të BE-së dhe Malit të Zi është definuar me detyrimet nga kapitulli 31 në negociatat për anëtarësimin e Malit të Zi në Union.
(Marrë nga: danas.rs. Përktheu: kdp.mk)