Një aksident i rëndë ka ndodhur pasditen e sotme (12 gusht) në aksin Gjirokastër-Kakavijë, ku dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën dhe kanë lënë të vdekur një person.

Mësohet se mjetet kanë dalë nga rruga duke goditur për vdekje një 60-vjeçar, bari me bagëti të imta, që ndodhej në anë të rrugës.

Gjithashtu u transportuan për të marrë ndihmë mjekësore dy pasagjerë, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.

Njoftimi i policisë:

Në aksin rrugor Gjirokastër-Kakavie, automjeti tip “Renault” me drejtues shtetasin D. S., është përplasur me automjetin tip “Nissan” me drejtues shtetasin T. G..

Si pasojë e përplasjes automjetet kanë dalë nga rruga. Në momentin që automjeti tip “Nisan’, ka dalë nga rruga ka goditur shtetasin V. G., 60 vjeç i cili ka humbur jetën.

Shtetasi V.G ndodhej në anë të rrugës (bari me bagëti të imta). Gjithashtu u transportuan për të marrë ndihmë mjekësore dy pasagjerë të cilët janë jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.