Frrok Çupi
Prapë tregimi takohet me Anthony Quinn, aktorin amerikan, në gjuetinë e famshme në oqean. Një ‘peshkaqen’ në Tiranë që Amerika e nxori në zall si ‘minues i demokracisë’, e përqeshi atëherë ambasadorin e Shteteve të Bashkuara që foli për gjuetinë e ‘peshkut të madh’. Amerika, një gjuetare e përjetshme e fajtorëve të mëdhenj, është kthyer kësaj vere në Ballkan e po mbledh rrjetat. Tani rrjetat e Amerikës po tërhiqen që nga viti 1992.
Shqipëria është ‘oqeani’ i parë ballkanik ku u vërejtën kafshët e egra të post- komunizmit, por u lanë në heshtje dy a më shumë dekada. Serbia, në plot aspekte, ishte ‘balena qift’ me qeverinë e Tiranës, sidomos në ndërmarrjen e përbashkët për thyerjen e embargos së vendosur nga OKB dhe shtrirjen e krimit. 1993- 96, makina ushtarake e Milloshevic punoi për vrasje e zhdukje të mijëra njerëzve ballkanikë falë ndihmës së Sali Berishës në Tiranë. Presidenti i Serbisë e pagoi hakun aty nga viti 2001 kur u arrestua në Beograd. Tani Amerika është kthyer në Bosnjë, atje ku u shfaqen ‘balenat’ e dyta, pas Tiranës dhe Beogradit, në vitet post- 90.
Amerika, dje vendosi sanksione ndaj disa pjesëmarrësve në krim, ndaj anëtares serbe të Presidencës së Bosnjës e Hercegovinës, Zhelka Cvijanoviç dhe zyrtarëve të tjerë të lartë nga Republika Srpska, për shkak ‘të minimit të Marrëveshjes së Paqes të arritur në Dejton më 1995’. Në listën e sanksioneve të Departamentit amerikan të Thesarit janë edhe kryetari i Parlamentit të Republikës Srpska, kryeministri dhe ministri i Drejtësisë. SHBA ka nxjerr në breg dëshmitë tronditëse se ata ‘kanë kërcënuar zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit’.
Marrëveshja e Dejtonit u nënshkrua në vjeshtën e viti 1995, në bazën ushtarake Wright-Patterson në qytezën Dejton, në shtetin federal amerikan Ohajo. Paqja në Bosnjë- Hercegovinë ishte një arritje e madhe e botës së Qytetëruar. Në atë luftë, 100 mijë njerëz humbën jetën dhe më shumë se 1 milion u dëbuan nga shtëpitë e tyre ose ikën në vendet e tjera.
Kthimi i Shteteve të Bashkuara në Bosnjë do të thotë kthim te krimi i vjetër.
Për kombin shqiptar këtu ka paralele dhe peshë të mirëpritur:
1 milionë shqiptarë të Kosovës u detyruan të lënë shtëpi e pasuri dhe të ikin nga lufta, vetëm katër vjet më vonë se Bosnja. ‘Marshina’ e Milloshevicit ishte vaisur nga Tirana që në vitin 1993. Vetë shqiptarët e Shqipërisë u nxitën në një luftë civile dy vjet para Kosovës, ku humbën jetën rreth 3000 vetë, aq sa në 11 shtator në Amerikë. Shteti sulmoi me armë të të gjitha llojeve, qytetarët e vet në Jug. Humbën kursimet në skema piramidale, humbën jetën në luftë, nisën konflikt të gjatë, u vodhën, humbën pronësinë mbi pronat e tyre, i zuri frika se shteti i vriste natën pa hënë.
Kjo e tmerrshme i gjeti shqiptarët në ‘krimin e vjetër’.
Pesha e aktit amerikan që kthehet në ‘Marrëveshjen e Dejtonit’ dhe në luftën e Bosnjës, për shqiptarët është peshë e çmuar. Kjo sjell shpresë për shqiptarët. Amerika ka nisur të gjuajë thellë në vite, deri në vitin 1992. Tmerri që hoqën shqiptarët nga shteti i tyre ‘demokratik’ ishte fshehur në një padrejtësi të kobshme. Deri tani ishte thënë ‘me zërin serbes’ se ‘drejtësia nuk hyn aq thellë’, Drejtësia ishte manipuluar nga presidenti dhe kryeministri Berisha. Tani ka shpresë, mund të kapen autorët e tragjedisë së vendit. Fakti se Amerika ka hyrë në vitet ‘ e vjetra’ që nga 1992, ky është fakti i artë i Drejtësisë. Tani as SPAK dhe as shërbëtori më i ulët i Sali Berishës nuk mund të fërkojë duart se ‘ato janë vite të thellë’ ku krimi nuk kapet!.
Në Tiranë rrjeta po tërhiqet nga cektina:
U dëbua Berisha nga PD që e lidhte pas vetes si kamikaz. Në PD u zgjodh Basha, gjë që ende duket ‘e vogël’. Berisha është çmendur në konferenca për gazetarët, gjë që dëshmon se e ka afër rrjetën. Ka të dhëna se krimet ndërkombëtare do ta çojnë larg Shqipërisë për hetime gjykim. Ilir Meta e ka lëshuar nën peshën e frikës së vet. Të dy jetojnë në të njëjtin det, si fizikisht edhe alegorikisht. Në Kosovë kërkohet largimi i Albin Kurtit nga qeveria dhe rrëzimi i perandorisë së mafies në kufirin verior. Ëndrra e Kurtit për ta kthyer Kosovën në kufijtë e ‘Dejtonit’, po asfiksohet.
Në Serbi, vetë shefi i Policisë Sekrete dhe ish ministër i Brendshëm, kërkohet kudo që të jetë. Vetë Serbia, njësoj si Gjermania pas WWll, nuk mund të shfajësohet për krimet e vjetra në Ballkan. Marrëveshja e Dejtonit si dhe Konferenca e Rambujesë zbulojnë disa ‘fosile’ të vjetra të rrezikshme në Ballkan. Shkupi po bëhet gati për një Kushtetutë të re që besohet se e orienton shtetin më mirë drejt Europës. Kufij të hapur të Maqedonisë me Shqipërinë sapo u krijuan si ‘modeli ballkanik’ për të mos mbajtur ‘oaze krimi’ mes kufijve shtetërorë. ‘Unë jam muxhahedin!’, sapo deklaroi Berisha. Tani do t’i shkonte të thoshte: ‘Unë, Berisha, jam i vetmi që nga viti 1992!’