Qindra emigrantë etiopianë janë vrarë në kufijtë e Arabisë Saudite që nga viti i kaluar. Emigrantët mbërrijnë fillimisht në Jemen dhe prej aty tentojnë të kalojnë kufirin e mbretërisë, por përballen me vdekjen. Në raportin e fundit, Human Rights Watch thotë se vrasjet “e përhapura dhe sistematike” mund të përbëjnë krime kundër njerëzimit.

Raporti bazohet mbi intervistat e 38 emigrantëve etiopiane që kanë tentuar të kalojnë kufirin e Arabisë Saudite përmes Jemenit në periudhën mars 2022 – korrik 2023.

“Zyrtarët sauditë po vrasin me qindra emigrantë dhe azilkërkues në kufijtë e largët, larg syrit të botës”, thotë një nga autoret e raportit, Nadia Hardman.

“Milionat e hedhura për golfin profesional, klubet e futbollit dhe eventet madhështore të argëtimit për të përmirësuar imazhin e Arabisë Saudite nuk duhet të na e tërheqin vëmendjen nga këto krime makabër”, shton ajo.

Sipas raportit, të intervistuarit flasin për të paktën 28 incidente me armë zjarri ose predha mortajash.

Disa prej të mbijetuarve thonë se janë pyetur nga policia kufitare arabe se në cilën prej gjymtyrëve do të preferonin t’i qëllonin.

Disa muaj më parë, një raport i OKB-së ngrinte të njëjtin shqetësim, duke specifikuar se 430 emigrantë kanë humbur jetën në kufirin mes Jemenit dhe Arabisë Saudite gjatë 4 muajve të parë të 2022-shit.

Arabia Saudite i ka hedhur poshtë shifrat e raportit, duke e quajtur atë “të pabazuar në burime të besueshme”.

Vrasjet e përmendura në raport kanë ndodhur në sfondin e luftës civile në Jemen.

Atje, një koalicion i udhëhequr nga Arabia Saudite ka luftuar kundër rebelëve Houthi të mbështetur nga Irani, të cilët morën kryeqytetin Sanaa, nga qeveria e njohur ndërkombëtarisht në vitin 2004. Konflikti është qetësuar disi për shkak të një armëpushimi.

Rebelët Houthi dyshohet se fitojnë dhjetëra mijëra dollarë në javë duke kontrabanduar emigrantë përmes kufirit në Arabinë Saudite, me dhjetëra mijëra etiopianë të zhvendosur ndër të tjera nga lufta civile dyvjeçare në rajonin verior Tigray të Etiopisë.

Rreth 750 000 etiopianë jetojnë tani në Arabinë Saudite. Rreth 450 000 mendohet se kanë hyrë atje pa autorizim, sipas statistikave të vitit 2022 nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin.