Ministri i Brendshëm Taulant Balla zhvilloi sot një takim me strukturat e Policisë Kufitare dhe Delta Forcë, që janë të vendosura dhe operojnë në vijën bregdetare nga Vlora deri në Sarandë për mbarëvajtjen e sezonit turistik.
Përgjatë sezonit veror në vijën bregdetare janë shtuar kontrollet dhe patrullimet për të garantuar siguri të shtuar, për mijëra turistë e pushues.
Ministri Balla ka përgëzuar të gjitha njësitë e Policisë së Shtetit që janë të angazhuara drejtpërdrejt në mbarëvajtjen e sezonit turistik, gjatë një takimi që zhvilloi sot me strukturat e Policisë Kufitare dhe ato të Delta Force, në Vlorë e Sarandë.
Ai u shpreh se deri tani nuk kemi pasur incidente si në të shkuarën dhe se ky rol parandalues duhet të vijojë me të njëjtin intensitet.
Balla vlerësoi me këtë rast rezultat e njësive të posaçme të Policisë së Shtetit, qoftë në ndihmën e dhënë për shtetasit e turistët që ndodheshin në situata problematike, ashtu edhe me numrin e mjeteve detare të sekuestruara.
Gjithashtu ministri Balla solli në vëmendje edhe Kodin e Etikës dhe rrezikun që vjen nga rrjedhja e informacionit, nga punonjës policie, drejt elementëve kriminalë. Ai u shpreh se sot është një ditë, pasi 20 vite më parë, humbi jetën në krye të detyrës Komisar Gani Malushi, e po ashtu, 14 vite më parë, humbën jetën 4 oficerë policie në një operacion për kapjen e një personi shumë të kërkuar.
Më tej gjatë fjalës së tij Ministri foli edhe për vëmendjen e vazhdueshme që ka qeveria dhe kryeministrit Rama, në aspektin e përmirësimit të kushteve të punës dhe sidomos rritjes së pagës për nivelin bazë.
Fjala e plotë e Ministrit të Brendshëm Taulant Balla:
Doja të vija personalisht për t’ju falënderuar, të gjitha departamentet, që janë të përfshira në këtë mision të rëndësishëm të mbarëvajtjes së sezonit turistik; – Policia Rrugore, reparti “Renea”, forcat “Delta”, Njësia Policore Detare, natyrshëm edhe repartet e tjera, “Shqiponjat” dhe të gjithë të përfshirë në këtë mision të rëndësishëm që kemi, për t’i garantuar çdo pushuesi vendas apo të huaj që pushimet në Shqipëri të jenë të sigurta. E vërteta është që gjithçka ka shkuar mirë. Deri më tani nuk kemi pasur incidente, të cilat kanë ndodhur në të shkuarën. Ajo që na duhet është që të vazhdojmë punën me këtë intensitet që e kemi nisur.
Ky intensitet duhet të vazhdojë. Ne do të lejojmë që gjithkush ta përdori detin, sepse e vërteta është që është pjesë e një dimensioni të caktuar të turizmit.
Por në asnjë moment të rrezikojë jetën e pushuesve, dhe natyrshëm, edhe jetën e atyre që i përdorin këto mjete. Prandaj roli ynë është një rol parandalues, dhe ne do të vazhdojmë të jemi prezentë në të gjithë hapësirën tonë detare për të kontrolluar dhe për të garantuar edhe njëherë atë që thashë në fillim, – jetën e çdo pushuesi!
Kemi mësuar shumë
nga gabimet e së shkuarës dhe nuk duhet të tolerojmë që asnjë prej atyre gabimeve të përsëritet më! Kjo ndërthurje kaq e bukur mes gjithë departamenteve tona, bën të mundur që ne të ndërhyjmë në kohë për çdo problematikë.
Gjej rastin të falënderoj të gjithë ju këtu, sepse të gjithë jeni përfshirë, edhe në rastet e ndihmës së menjëhershme ndaj personave të cilët kanë pasur problematika në det, apo edhe të humbur, qoftë në Karaburun apo në zona të tjera, ku falë gatishmërisë suaj, është bërë e mundur gjetja dhe shpëtimi, jo vetëm i turistëve vendas, por edhe të huaj, siç ishte rasti i një qytetareje italiane gjatë javës që kaloi.
Kështu që na duhet që ta vazhdojmë këtë gatishmëri të plotë që ju keni. Këtu pastaj kjo lidhet edhe me atë arsyen kryesore pse unë po shkoj në të gjitha repartet tona, komisariatet dhe drejtoritë, për të garantuar se mbështetja e qeverisë, e kryeministrit Rama, do të vazhdojë të jetë edhe më e madhe për punonjësit e Policisë së Shtetit. Na duhet që ta rrisim dhe ta përmirësojmë trajtimin financiar dhe unë jam shumë i sigurt që në buxhetin e vitit 2024, ne do të kemi një rritje të dukshme të pagave për nivelet bazë të Policisë së Shtetit.
Kjo vëmendje e shtuar e qeverisë vjen edhe për shkak të rezultateve të mira që Policia e Shtetit po arrin, me shumë operacione të rëndësishme, të cilat godasin fenomene të caktuara të krimit. Krimi goditet vetëm nëse e godasim sistematikisht!
Këtu pastaj vjen një moment tjetër që lidhet me Kodin e Etikës brenda forcave të Policisë së Shtetit.
Në shumë vite kemi pasur problematika, që lidheshin me rrjedhjen e informacionit brenda strukturës së Policisë së Shtetit dhe kjo sillte për pasojë edhe dështimin e operacioneve tona policore.
Unë mendoj që jemi në rrugën e mbarë për të prerë fijet brenda Policisë së Shtetit që rrjedhin informacion dhe tradhtojnë aksionet e Policisë së Shtetit. Sot jemi në fakt në një ditë të hidhur për Policinë e Shtetit, sepse 20 vite më parë, Komisar Gani Malushi, u godit nga dora e krimit. Dhe ndërkohë, 14 vite më parë, në një aksion policor, 4 oficerë të strukturës sonë të posaçme, ranë në krye të detyrës gjatë një operacioni për arrestimin e një personi shumë të kërkuar.
Këto janë dy momente për të kuptuar që sa herë që kemi problematika të rrjedhjes së informacionit, kjo sjell, do të thoja unë, edhe një karshillëk dhe tradhti ndaj të gjithë atyre që kanë dhënë jetën e tyre si “Dëshmorë të Atdheut”, në radhët e Policisë së Shtetit.
Dua t’ju them që veprimet, aksionet, operacionet e ditëve të fundit të Policisë së Shtetit, po ngrejnë dita ditës besimin e qytetarëve.
Ne do të vazhdojmë procesin e vetëpastrimit brenda Policisë së Shtetit dhe të jeni të sigurt që kjo do të na sjellë rritjen e besimit të qytetarëve.
Mirënjohje të gjithëve!