Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka zgjedhur ceremoninë përkujtimore të dëshmorit të parë të forcave speciale RENEA, Arben Ujka sot në Shkodër, për të njoftuar një politikë të re penale ndaj ndaj atyre që kundërshtojnë policinë.

“Kush nuk i bindet urdhërit/thirrjes së ligjshme të policit, ose më rëndë akoma e kundërshton me forcë, guxon ta fyejë, ta agresojë, ta kanosë, ta godasë apo larg qoftë t’i rrezikojë jetën në ushtrim të detyrës apo për shkak të detyrës, duhet ta ketë të qartë që toleranca do të jetë ZERO.

Do bëj gjithçka që një politikë/praktikë e re penale të zërë vend në këtë drejtim, duke kërkuar mbështetjen e sistemit të drejtësisë. Kuadri ligjor është aty në Kodin Penal (me ndryshimet që kam mbështetur vetë në Kuvend në vitin 2019) dhe në ligjin për Policinë Shtetit.
Mosbindja ndaj urdhrave të ligjshme të punonjësit të policisë përbën kundërvajtje penale, e cila mund të dënohet me burgim gjer në tre muaj.

Nëse e kundërshton punonjësin e policisë me qëllim për ta penguar atë për të kryer detyrën sipas ligjit dënimi shkon në një vit burg. Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose duke ushtruar dhunë fizike ose më shumë se një herë, mund të dënohet me burgim gjer në shtatë vjet. Nëse dikush guxon të godasë me duar punonjësin e policisë për shkak të detyrës, ai person rrezikon deri në pesë vjet burg. Pastaj për vepra më të rënda penale ndaj një punonjësi policie, Kodi Penal është i ashpër siç duhet.

Rëndësia e detyrës që mbart uniforma e Policisë së Shtetit, duhet ta bëjnë shoqërinë të reflektojë për ridimensionimin e qëndrimeve dhe mbështetjes për sigurinë publike, garantuesi themelor i së cilës është Policia e Shtetit.

Policia i ka shërbyer dhe i shërben me devotshmëri atdheut dhe qytetarëve, përplaset çdo ditë me kriminelë e keqbërës. Policia ka derdhur gjak, në emër të misionit dhe betimit të saj. Gjaku i policisë është gjaku i shtetit. Kush ngre dorë kundër Policit, ka ngritur dorë kundër shtetit.”

30 vjet më parë, më 22 Gusht 1993, oficeri i policisë së repartit special “RENEA”, humbi jetën në krye të detyrës, gjatë një aksioni për kapjen e një krimineli në fshatin Musha të Rrethit Shkodër. Arben Ujka ishte vetëm 22 vjeç kur ju bashkua Policisë së Shtetit. Ai kujtohet sot si dëshmori i parë i forcave speciale RENEA, që është vrarë në përleshje të armatosur në periudhën e demokracisë.