Nga Erald Shulla
Në PD-në zyrtare u zhvilluan zgjedhjet për kryetar dhe sikurse pritej u rikonfirmua Lulzim Basha, për të katërtën herë radhazi. Në tre raste është zgjedhur kryetar me ndikimin e dukshëm të Berishës, ndërsa në rastin e fundit me kundërshtar të dukshëm Berishën, por larg partisë. A është ky një “fillim i ri” për PD-në? Kujtojmë që Basha në daljen e parë publike përsëriti sërish fjalët: “Beteja tani fillon”…
Lulzim Basha që nga viti 2013 kur u zgjodh për herën e parë në krye të Partisë Demokratike dhe deri me datën 29 korrik të vitit 2023 kishte gjatë gjithē kohës një hije, hijen e dyshimit, të gjithë mendonin ky ishte një person figurant që Sali Berisha kishte vendosur në karriken e kryetarit të partisë dikë të besuar për ruajtur linjën dhe interesat e tij apo Basha ishte kryetari i pavaruar nga ish kryetari i partisë z.Berisha. Kjo gjë aq shumë në dukje e ndihmonte Bashën, por në realitet Lulzim Basha vetëm dëmtohej, sepse nuk krijonte dot modelin ndryshe nga ai i Berishës. Basha ishte thjeshtë një kryetar që duhet të drejtonte partinë e Berishës, sepse Berisha kishte vendosur dhe kishte influencuar që në të gjitha pozicionet e partisë të ndodheshin njerëzit më të besuar të tij. Basha në të vërtetë tani është për herë të parë kryetar i një partie. Tani mendoj që do duket sa aftësi ka ta ringrejë PD-në, tani do të duket se si ai do i krijojë imazhin pa Berishën PD-së. Tani Basha ka momentin të tregojë që di të përballet dhe të bëjë realisht atë që thoni dhe ju; ‘një fillim të ri për Partinë Demokratike dhe për demokratët’.
Me ardhjen e Bashës në krye të PD-së zyrtare kanë dalë edhe shumë zëra kundër, përfshi sekretarin e Përgjithshëm të PD-së Gazmend Bardhi dhe disa deputetë të tjerë që dikur mbështetën Bashën përballë Berishës, por nuk pranojnë rikthimin e tij në kushtet aktuale të opozitës. Kush është partia (njerëzit) që drejton Basha?
Është normale që duhet të ketë zëra kundra, dhe le të themi edhe sa mirë që ka zëra kundra. Por a janë këta zëra që duhet të jenë kundra Lulzim Bashës? Debatet i shërbejnë çdo force politike, sepse nga debatet dhe idetë vetëm të mira ka, por ky grup deputetësh ka përgjegjësin e madhe të 14 majit sepse këta treguan që pa Lulzim Bashën nuk janë në gjendje të nxjerrin kandidatë e jo më të pretendojnë për më tej. Gazmend Bardhi & kompani kanë pëgjegjësi direkte për situatën në PD pas dorëheqjes së Lulzim Bashës. Unë jam skeptik për qëndrimin, sjelljen, apo qasjen e tyre politike me rikthimin e Lulzim Bashës. Ky grup ka flirtuar në mënyrë të vazhdueshme me Sali Berishën, kujtojmë ku para disa muajsh shijuan edhe një drekë si grup deputetësh me Sali Berishën. Ka kohë për tu parë nëse në shtator, Gazmend Bardhi bashkë me disa deputetq do qëndrojnë në PD apo do bashkohen me lëvizjen e z.Berisha. Ndërsa Lulzim Basha drejton ata anëtarë që besojnë tek logo e PD dhe nuk vazhduan me Bashkë Fitojmë. Basha mori 18 mijë vota, dhe kemi parasysh që logon e PD-së e kanë votuar mbi 103 mijë persona. Pra Basha drejton nje forcë dhe jo aq të vogël politike, e cila kërkon të levizë.
Ka artikulime jo të pakëta që mendojnë se në muajt në vijim, për shkak të disa konjukturave politike, ndërkombëtare, por edhe të funksionimit të drejtësisë, Rama dhe Basha mund të shkojnë në një bashkëqeverisje, qoftë edhe në një periudhë tranzitore. Nëse kjo ndodh, në kushtet që Berisha dhe Meta nuk kanë forcë elektorale dhe mbi të gjitha mbështetje ndërkombëtare, kjo është “fitore” e Bashës dhe “humbje” e Ramës, apo anasjelltas?
Situata politike ku ndodhet mazhoranca sot është mjaft e rëndë. Ka probleme madhore me drejtësinë dhe shumë personazhe të qeverisjes edhe në nivel të lartë ose janë në burg, ose pranë tij. Në kushte të tilla nxiten edhe artikulime ndoshta dhe për ta shkëputur vëmëndjen, sepse unë nuk shoh arsye pse duhet te ndodhë kjo gjë! Pse do të duhet një bashkëqeverisje, kujt i shërben? Unë mendoj që këto hidhen në treg, nga ajo që edhe si i quan apo e ka etiketuar Basha si trekëndëshi i bermudës. Pse them që këta kanë interes te artikulohet një bashkëpunim Rama-Basha, sepse e para Ramës i leverdis duke shkëputur vëmëndjen nga problemet e mëdha me drejtësin që kanē ministra e funksionarë të tjerë të lartë por edhe nga Berisha dhe Meta ka jo më pak interes, sepse qytetarët direkt do mendojne si opozitë të vetme të vendit, Berishën dhe Metën. Kjo vjen si sulm për rikthimin e Bashës duke e paraqitur si bashkëpunëtor të Edi Ramës, por faktikisht në optikën time Edi Rama forcohet vetëm kur janë aktiv Meta dhe Berisha, ku ai tashmë ka mësuar të luajë bukur me këta të dy.
Gjithashtu një mundësi tjetër është që Rama të provokojë vetë zgjedhje të parakohëshme, duke e argumentuar këtë nismë me “votëbesim në popull”, për shkak të shpërthimit të disa skandaleve dhe aferave korruptive të shtrira si në kupolën qeverisëse ashtu edhe pushtetin lokal. Nëse Rama shkon në zgjedhje të parakohëshme, me kushtet në të cilën gjendet opozita, a jemi para një “betonizimi” edhe më të madh të pushtetit të Ramës?
Zgjedhjet e parakohëshme janë të domosdoshme, skandalet e qeverisë, implikimi i shumë ministrave në aferën e incenereatorëve, konsumimi dhjetëvjeçarë e qeverisjes Rama duket se po i vjen fundi, por nëse bëhen tani a mos është një “hile” politike e qeverisë si shpresë për t’i mbijetuar këtij momenti kaq kritik?! Opozita e përçarë, ku të themi të drejtën lëvizjet e menjëhershme të Lulzim Bashës pari u zgjodh për të ringritur strukturat e PD zyrtare mund tē goditen nga kjo levizje e mazhorancës. Lulzim Basha ka nevojë për pak kohë për të qënë përballe në zgjedhje, dhe me një Bashkë Fitojmë (që nuk fitojnë) Meta-Berisha të cilët janë ndjeshëm në rënie pas zgjedhjeve të 14 Majit. Pra ajo që shoh është që në shtator favorizohet Rama, me pas vitin e ardhshëm patjetēr që opozita e Bashës me gjasë do rritët, do ketë frymëzim dhe do nisë seriozisht të shihet si alternativë e duhur qeverisëse. Pas disa muajve me rikthimin e Bashës mendoj që vendi do ketë opozitë më të fortë.