Reagimet ‘kërcënuese’ të Athinës, për bllokim të fondeve dhe rrugës së shqipërisë drejt BE, janë hedhur poshtë nga Bashkimi Europian.
Në reagimin ekskluziv për Report TV, zëdhënësja e KE, Ana Pisonero i tha gazetarit Ermal Qori se Bashkimi Europian nuk ndërhyn në çështjet e drejtësisë shqiptare, që në rastin konkret bëhet fjalë për Fredi Belerin i arrestuar për zgjedhjet e 14 majit, pasi u përfshi në skemën e blerjes se votës, 50 euro secila.
“Ne po vazhdojmë të ndjekim zhvillimet, por ne nuk komentojmë cështjet që janë nën hetim” tha zëdhënësja e KE, Ana Pisonero për Report TV.
Ndryshe nga vendi fqinj, përfaqësuesja e medias në BE i tha Report TV se kishte një thirrje për organet e drejtësisë.
“Ne bëjmë thirrje dhe të sigurohemi që procesi të mbahet në mënyrë të duhur” vijon në deklaratën e saj zëdhënësja e KE, Ana Pisonero.
Referuar deklaratës, zyrtarët e lartë të Unionit mbajnë në monitorim të gjitha zhvillimet e fundit politike në vend, ndërsa pak ditë më parë, qeveria greke kërcënoi nëpërmjet Ministrit të Punës se do të bëhet pengesë për integrimin e Shqipërisë në BE.
“Shqipëria do të harrojë paratë nga Europa nëse Fredi Beleri nuk betohet si kryebashkiaku i Himarës. Shqipëria do paguajë çmim shumë të lartë nëse vazhdon të shkelë të drejtat e grekëve” tha pak ditë më parë Adonis Georgiadis.
Më herët, pas protestës së organizuar në Himarë, kryeministri Edi Rama reagoi duke kërkuar nga përfaqësuesit e Athinës t’i binden ligjit.
“Ky hap i hedhur si këmba e elefantit në një dyqan qelqurinash, mund të sjellë pasojën regresive të rindezjes së flamës së nacionalizmit, e të ndjenjave negative reciproke që ajo flamë lind në shtresa të keqinformuara e në grupe të caktuara ekstremistësh, të cilët i mezipresin këto raste me bidon benzine në dorë, gjë që as nuk e dyshoj një sekondë se jo vetëm unë dhe qeveria shqiptare, po as kryeministri dhe qeveria greke nuk e dëshirojnë hiç asfare, shkruante Rama.
Qëndrimi i Belerit në burg i pamundëson atij betimit. Sipas ligjit shqiptar, nëse Beleri nuk betohet brenda një afati 3 mujor, pas konstituimit të Këshillit Bashkiak, atëherë qeveria shqiptare ka të drejtën për ta shkarkuar. Këshilli u konstitua me 27 qershor, që do të thotë afati maksimal i Belerit për betimin është 27 shtatori. Kjo çeshtje është kthyer në teme e nxehtë mes Greqisë dhe Shqipërisë.