Sali Berisha ka çuditur jo pak sot, teksa ka dalë në mbrojtje të Arben Ahmetajt i cili është në arrati sa i takon çështjes së inceneratorëve.

Në një deklaratë për mediat, Berisha u shpreh se Ahmetaj dhe familja e tij janë kërcënuar me jetë. Sipas tij, ata kanë marrë kërcënime prej tre javësh, ndërsa i kërkon drejtësisë që t’i marë në mbrojtje. Berisha tha se Rama dhe Veliaj po kërkojnë me çdo kusht që t’i mbyllin gojën Ahmetajt.

“U informoj se prej tre javësh, breshëri kërcënimesh me jetën e tij, të prindërve dhe familjarëve të tjerë, fëmijëve, vërshojnë nga të katër anët drejt Arben Ahmetajt. Këto kërcënime kriminale dëshmojnë tmerrin dhe datën që Arben Ahmetaj u ka kallur Edi Ramës dhe Erion Veliajt si bosët kryesorë të vjedhjes së shekullit.

Me këto kërcënime ndaj Ahmetajt, Rama dhe Veliaj kërkojnë me çdo kusht që t’i mbyllin gojën që të mos i bëjë publike ndërhyrjet e Ramës dhe Veliajt si kupolë kryesore e vjedhjes së shekullit. Kërcënimet me jetën e tij, familjarëve dhe fëmijëve, që vërshojnë nga qelitë e burgjeve dhe zyrat e krimit të institucioneve shtetërore, dëshmojnë që Rama, Agaci dhe Veliaj janë de facto dhe de juro truri dhe ekzekutorët e vjedhjes së shekullit. Të marrin masa për të mbrojtur familjarët dhe Ahmetajn, të dërgojnë grup hetues të çështjes duke e pranuar atë si bashkëpunëtor të drejtësisë”, tha Berisha.