Jo vetëm kriza, por edhe rritja e kostove të të bërit biznes, duke nisur nga pagat më të larta dhe shtrenjtimi i taksave, shihen si faktorët që po stepin sipërmarrësit shqiptarë të investojnë. Rënia e numrit të bizneseve të reja me 40% në Tiranë për gjysmën e parë të vitit, sipas ekspertit të ekonomisë, Klodian Muço lidhet ndjeshëm edhe me nivelin e jetesës.

“Një ndër arsyet se pse tendenca e hapjes së bizneseve të reja është rënëse, popullsia po frenohet, aspekti i dytë është kriza ekonomike në kompleks, Shqipëria në kompleks nuk është më atraktive, jo për arsye të brendshme por dhe të jashtme. Aspekti i tretë ka lidhje me nivelin e jetesës, Tirana është bërë shumë e shtrenjtë për qytetarët, në Tiranë është bërë e vështirë të jetohet dhe biznesmenët stepen para se të investojnë”, thotë ai. Sipas Muços kryeqyteti po bëhet më i kushtueshëm për të investuar, ndërsa së fundmi edhe rritja e planifikuar e taksës së pronave do të kthehet në një barrë shtesë për biznesin.

“E fundit farë është taksa e pronës e cila po rritet deri në 76% në disa raste, kjo është barrë mbi biznesin, rriten kostot e parkimit, të magazinave etj. Në thelb janë të gjithë këta faktorë që nuk e bëjnë Tiranën tërheqëse për këtë sektor. Një pjesë e mirë e bizneseve kanë nxjerrë tabelën shitet, likuidim. Janë një sërë politikash të bashkisë që po i nxit këto biznese të zhvendosen drejt qendrave të mëdha tregtare, duke ndikuar në mbylljen apo dhe falimentimin e këtyre bizneseve të vogla”, thotë ai.
Duke vërejtur tendencën vijuese të migrimit të popullsisë nga periferitë drejt qendrave të qyteteve, eksperti Muço thotë se më rezistentë do të vijojnë të mbeten në treg bizneset e reja të ndërtimit.