Boksieri i peshave të rënda, shkodrani Nelson Hysa është mes 70-të më të mirëve të botës në renditje. Fitorja e javës së shkuar në Tetovë kundër argjentinasit Marcos Aumada ka bërë që sportisti kuqezi të katapultohet nga pozita e 163-të, në atë të 67-të.

Kësisoj, Hysa është boksieri shqiptar me më shumë ngritje periudhën e fundit. Pak ditë më parë shkodrani mbajti pozitën e 67-të, teksa tashmë është në të 73-tën, kjo për faktin se poziconi ndryshon në varësi edhe të ndeshjeve që zhvillohen në kategorinë e boksit.

Një vit më parë, Nelson Hysa e nisi me pretendime të mëdha, duke qenë i 1300 në botë, teksa sot sheh një sukses të madh dhe e gjitha pas paraqitjeve në ring. Rritje ka pasur edhe Kristjan Prenga. Mirditori që vijon karrierën në SHBA fitoi disa ditë më parë, duke qenë në vendin e 98-të në botë. Pas tij vijnë Sefer Seferi i 168-ti dhe më pas Christian Demaj dhe Ergal Elezaj.

Nga kjo renditje bie në sy se Hysa, i cilësuar si “Grushti i Hekurt” me vetëm një vit përkushtim dhe trajnim në Shqipëri, ia ka dalë që me pasion të sigurojë 10 fitore në boksin profesionist dhe të ketë një vend komod mes boksierëve në botë.