Britanikët po vërshojnë drejt Shqipërisë pasi gëzon një rritje të turizmit falë plazheve me rërë, hoteleve dhe restoranteve me çmime të lira.

Çdo vit, më shumë se 120 mijë shtetas të Mbretërisë së Bashkuar vizitojnë vendin pasi sektori i turizmit gëzon vitin e tij më të suksesshëm deri më sot. Sipas “Daily Mail”, vendi malor në gadishullin Ballkanik do të jetë edhe më tërheqës për britanikët këtë dimër kur Ryanair dhe Wizz Air të nisin fluturime e reja.

Muajin e kaluar panë më shumë kërkime në Skyscanner për udhëtime nga MB në Shqipëri që nga fillimi i vitit 2022. Dhe kërkimet ishin 58 për qind më shumë në korrik të vitit të kaluar. Kurse një hulumtim i kryer ga “Daily Mail” ka gjetur se mesatarja e vaktit për dy vetë në një restorant të nivelit të mesëm në Shqipëri është vetëm 29 paund në total, ndërsa një birrë kushton mesatarisht 1.67 paund.

Destinacionet më të lira të njohura atje për një vakt duket se janë Shkodra dhe Vlora, kurse më i liri për një birrë është Berati. Po ashtu të dhënat e përpiluara nga databaza e kostos së jetesës Numbeo zbulojnë se Tirana është vendi më i shtrenjtë për një vakt jashtë, por prapë vetëm 33 paund për dy vetë.

Nga ana tjetër, çmimet e hoteleve janë shumë të arsyeshme, me të dhënat e Booking.com që tregojnë se hotelet në Tiranë kushtojnë vetëm 41 paund nata për një me tre yje, 60 paund për një me katër yje dhe 116 për një me pesë yje. Akomodimi edhe më i lirë mund të gjendet në qytetin piktoresk të Beratit, ku një hotel me tre yje kushton mesatarisht vetëm 31 paund nata.

Teksa inflacioni i lartë vazhdon të shkaktojë një krizë të kostos së jetesës në Britani, shumë familje po kërkojnë opsione më të përballueshme kur planifikojnë pushime jashtë vendit.

Dhe Ryanair është vendosur të shfrytëzojë sa më shumë interesin në rritje për Shqipërinë duke prezantuar fluturime të reja nga Stansted, Manchester dhe Edinburgh më 31 tetor. Fluturimi i parë nga Stansted do të niset atë ditë në orën 6:30 të mëngjesit dhe sot kushton vetëm 17 paund. Gjithashtu do të ketë një fluturim të parë nga Mançesteri në 6.05 të mëngjesit më 31 tetor me një çmim prej 42 paund.

Kurse i pari nga Edinburgu do të largohet atë ditë në orën 13:45, 55 paund.

Ndërkohë Wizz Air, që ka operuar drejt Tiranës nga qendra e saj kryesore në MB në London Luton që nga viti 2018, do të nisë fluturimet nga Liverpool, Birmingham dhe Edinburgh këtë dimër.
Vitin e kaluar, 463 mijë e 451 pasagjerë fluturuan në Tiranë nga Londra dhe mbi 120 mijë shtetas britanikë vizitojnë Shqipërinë çdo vit.

Aktualisht, Shqipëria po shijon vitin e saj më të suksesshëm të turizmit deri më tani, pasi ka pasur 3.4 milionë shtetas të huaj gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti. Vetëm qershori pa më shumë se një milion vizita – 15 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Këto shifra janë të mëdha në krahasim me vitin 2010 kur Shqipëria priti vetëm 1.28 milionë turistë ndërkombëtarë gjatë gjithë vitit. Laura Lindsay, ekspertja e tendencave të udhëtimit në Skyscanner, ka thënë për “Daily Mail” se vendi “ka qenë në radarin e udhëtarëve që kërkojnë diçka ndryshe për një kohë, por ndërsa kemi parë që kërkesa për udhëtime të kthehet seriozisht, ai po depërton si një destinacion popullor pushimesh”.

“Plazhet e bukura të Rivierës Shqiptare dhe kostoja më e lirë e jetesës janë duke e bërë atë një destinacion të shkëlqyeshëm veror, Shqipëria ka qytete historike për t’u eksploruar dhe një skenë në lulëzim festivalesh me ngjarje që zënë vendin e tyre në të gjithë kalendarin muzikor botëror”. Sipas “Daily Mail”, Shqipëria është një destinacion relativisht i pazbuluar për britanikët, me italianët që aktualisht përbëjnë pjesën më të madhe të turistëve.

Aeroporti kryesor ndërkombëtar është në Tiranë, por është edhe ai në Kukës. Një i tretë në Vlorë, pranë bregut, është në ndërtim e sipër dhe do të përfundojë prillin e ardhshëm. Çka pritet të sjellë shumë më tepër turistë për shkak të vendndodhjes në disa nga plazhet më të mira të Shqipërisë, me operatorët në MB që pritet të shfrytëzojnë sa më shumë duke nisur marrëveshjet e reja të pushimeve. Por shumë emigrantë shqiptarë po udhëtojnë në drejtim të kundërt.

Nga 45 mijë e 755 persona që kaluan Kanalin Anglez me varka të vogla vitin e kaluar, 12 mijë e 301 ishin nga Shqipëria dhe shumica kërkuan azil pasi mbërritën. Rritja e kalimeve të Kanalit thuhet gjithashtu se ka çuar në një rritje të krimit në Britani, me 80 emigrantë shqiptarë të dënuar për vepra penale duke përfshirë vrasjen, përdhunimin dhe rrëmbimin vetëm në katër muajt e parë të vitit 2023.