Gianluigi Buffon, legjenda e Juventusit dhe Italisë u tërhoq nga futbolli i luajtur në moshën 45-vjeçare. Pas 28 viteve karrierë dhe një morie me trofe, portieri italian vendosi të “varte dorezat në gozhdë”.

Në lidhje me këtë vendim ka folur edhe ish-trajneri i tij te Juventus, Fabio Capello. Sipas tij, Buffon është një portier i madh që kishte vetëm një defekt, kishte frikë nga bletët.

“Unë kam pasur fatin ta trajnoj Buffon, është një portier i madh dhe një person i shkëlqyer. Për mua është në të njëjtin nivel me Dino Zoff, të dy kishin aftësinë që me anë të personalitetit, por edhe kapacitetit teknik t’i jepnin qetësi mbrojtësve. Megjithatë, edhe Buffon e kishte një defekt; kishte frikë nga bletët”, shprehet me humor Capello.

E ardhmja e Buffon tanimë do jetë në stolin e kombëtares së Italisë, si ndihmës i Roberto Mancinit. Me përvojën e gjatë, grintën dhe vendosmërinë e treguar, te Italia janë të sigurt se Buffon do përmirësojë portierët e kombëtares së kaltër.