Kryeministri Edi Rama do të japë sot një intervistë për gazetën greke ‘Kathemerini’, ku do të flasë për çështjen e Fredi Belerit, kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, i cili ndodhet pas hekurave për blerje votash.

‘Mirëmëngjes dhe me ftesën që sot në 10:00, të ndiqni të plotë pa asnjë prerje intervistën për prestigjozen greke Kathimerini, me gazetarin Pavlos Papadopoulos, ju uroj një të dielë të qetë!’- shkruan Rama.

Intervistën për median greke, kreu i qeverisë shqiptare e paralajmëroi pak ditë më parë, teksa i kthente përgjigje gazetarit grek Pavlos Papadoupolos, i cili kishte kritikuar shtetin shqiptar për çështjen Beleri.

Rama i ka shkruar personalisht gazetarit të të përditshmes ‘Kathimerini’, dhe i ka kërkuar që për shkrimin me fakte të fabrikuara dhe të shtrembëruara do të duhej të kishte marrë edhe argumentet e tija.

Në përgjigje gazetari grek fillimisht vlerëson Ramën si Kryeministër dhe shkruan se do të ishte shumë i lumtur që të flasë me të për çështjen ‘Beleri’, për të cilën ka shumë rezerva.
Gazeta greke “Ekathimerini” i ka kushtoi një artikull çështjes “Beleri” më 20 gusht. Gazetari Pavlos Padapoulos analizonte situatën politike mesazhet që përcjell Athina dhe rolin e kryeministrit Rama në këtë çështje. Një tjetër çështje që shtron artikulli është dhe ajo e rivalitetit Rama-Berisha, ku Beleri mund të shihet si viktima e betejës.