Mjekja toksikologe Sonila Tivari Bitri ngre alarmin për sa i takon përdorimit të cigareve elektronike. Efektet anësore prej përdorimit të cigareve elektronike janë të shumta. Dëmet gjithashtu nuk janë më të pakta, se sa llojet e tjera të cigareve.

“Në studimet e vitit të fundit është parë se nuk kishte përfitime në ndalimin e duhanpirjes, apo në përmirësimin klinik të përdoruesit. E vetmja këshillë mjekësore për të ulur komplikacionet e mushkërisë, apo komplikacione të tjera është të ndalojmë pirjen e cigares, si normalen, po ashtu edhe atë elektronike.

Shohim një trend në rritje te adoleshentët, pasi ata kanë një ekspozim për herë të parë me cigaren elektronike. Ata e përdorin këtë me idenë se është më e pranueshme dhe mund ta blejnë kudo. Por, varësia mund të kaloj nga cigarja elektronike në cigaren normale shumë kollaj. Në të kundërt nga të rriturit që e përdorin për të ulur varësinë nga cigarja normale. Nikotina është një substancë që krijon varësi, më tepër nga çdo përbërës tjetër, si alkooli apo hashashi. Por, ndërprerja e saj jep shenja klinike po njësoj.

Cigarja elektronike nuk është pa efekte anësore, ashtu si ajo u reklamua në vitet e para kur u fut në treg. Cigaren mund ta ndërpresim me terapi, ose me substanca, por më shumë qëndron edhe te forca e individit dhe vullneti i tij për ta ndërprerë duhanpirjen”, tha mjekja toksikologe.