Kur Edi Ramës i ra ndërmend në fund të vitit 2000 si kryebashkiak i sapozgjedhur i Tiranës, se qyteti ishte i trishtë, gri, dhe kishte nevojë për ngjyra dhe mbi të gjitha se lumi i Lanës duhej pastruar duke prishur të gjitha kioskat që ishin ndërtuar buzë saj, dikush filloi të frikësohej për sigurinë e tij fizike, shkruan në një artikull gazeta italiane ”Corriere della Sera”.
Sipas tyre, ky njeri i madh fizikisht, prej më shumë se 2 metrash po shkonte kundër fuqive të vogla dhe të mëdha vendase.
Mbi të gjitha kryebashkiaku Rama donte të fitonte mbi një sistem që për një dekadë ishte bazuar në ndërtime ekstreme të paligjshme dhe korrupsion. Jo vetëm në kryeqytet por kudo në Shqipëri.
Vitet nëntëdhjetë
Rama tashmë dinte diçka për kërcënimet dhe dhunën. Disa muaj pasi ai kontestoi në gazeta të dyja partitë që u ngritën pas diktaturës, ajo demokratike (të qendrës së djathtë) dhe ajo socialiste – në 1997, disa persona e rrahën për vdekje para shtëpisë së tij.
Rama nuk pati asnjë dyshim për porositësin (presidentin e atëhershëm Sali Berisha, lider i PD-së) dhe pas një periudhe të shkurtër emigrimi në Paris për t’u rikuperuar dhe për të bërë gjërat që i pëlqenin (pikturë), ai u kthye në Tiranë.
Qeveria socialiste e thirri atë dhe e bëri ministër Kulture në vitin 1998 dhe në vitin 2000 Rama u zgjodh nga 54% e banorëve si kryebashkiaku i kryeqytetit shqiptar.
Ndërsa nisi punët për rregullimin e kryeqytetit, dikush e qëlloi edhe në dritaren e shtëpisë së tij, pa plagosur njeri.
Kryebashkiaku më i mirë në botë
Katër vjet më vonë pas shumë mundi u evidentuan me dhjetëra ndërtesa të ringjyrosura në mënyrat më kurioze të cilat tërhoqën vëmendjen e paprecedentë të mediave perëndimore dhe Rama u zgjodh si kryebashkiaku më i mirë i botës në “World Mayor”.
Prej andej pikësynimi drejt ambicieve të drejtimit të qeverisë u bë i pandalshëm, edhe për shkak të qasjes së tij properëndimore.
”Edi Krista Rama, ku Kristaq quhet babai i tij -, 59 vjeç, është politikan, ish basketbollist, mësues, piktor dhe publicist shqiptar, kryeministër aktual i Shqipërisë në detyrë që prej 15 vjetësh shtator 2013”, shkruan Wikipedia.
“Meme” në Instagram
I martuar dy herë, dy fëmijë, kreu i Partisë socialiste Rama javët e fundit po shijon suksesin e vendit në frontin e turizmit, ku me dhjetëra e mijëra italianë që kanë “pushtuar” plazhet e vendit të shqiponjave të tërhequr nga kureshtja dhe mbi të gjitha nga një sezon turistik me çmime rekord.
Rama mbrëmjen e së martës publikoi edhe një “meme” në Instagram me dy foto të zbarkimit në Bari të anijes “Vlora” në vitin 1991 e cila krahasonte turistët italianë me shqiptarët që zbarkuan pas diktaturës në Itali.
Aktivitetet
Shumë aktiv në rrjetet sociale. “Qeveria ime jeton në modernitet dhe përdor të gjitha mjetet e komunikimit”, thotë ai gjithmonë.
Me një opozitë që po përpiqet të gjejë liderin e saj të referencës, kryeministri shqiptar është bërë i njohur jashtë vendit nga njëra anë për gjestet që bien në kundërshtim me trendin e kohës (ai ishte i pari në botë që garantoi azil për refugjatët afganë pas kthimit të talebanëve) ose linjën e drejtpërdrejtë me liderët serbë edhe në mes të tensioneve me Rusinë dhe Kosovën.
Nga ana tjetër për anën “artistike”, ai spikat për mungesën në të shumtën e rasteve e kravatës, veshjen e atleteve sportive, video-selfie e bëra para Pallatit të Qeverisë në Tiranë me kryeministrin e atëhershëm Matteo Renzi, si dhe përqafimet afektive me kryeministren italiane Giorgia Meloni, qershorin e kaluar në samitin e komunitetit politik evropian në Moldavi.
Ai ishte gjithashtu një nga drejtuesit e pranishëm në funeralin e Silvio Berlusconit.
Marrëdhëniet e tij me Evropën
I dashuruar me Italinë, Edi Rama nuk humb rastin të thotë se të dy vendet janë thuajse pjesë e të njëjtit realitet dhe se italianët janë “vëllezër” të shqiptarëve.
Në një intervistë për Corriere në 2015, Rama i ftoi edhe ata që të shpërngulen në Shqipëri, mbi të gjitha për të investuar duke iu thënë se ”Shqipëria është vendi ideal për ju”.
Një evropianist i hekurt, ai ka pohuar prej kohësh se “Shtetet e Bashkuara të Evropës” duhet të ndërtohen sepse “është e vetmja mënyrë për të garantuar një të ardhme për kontinentin”, por çdo herë ai zhgënjehet nga Brukseli që shtyn hyrjen e vendit në Union për arsye të ndryshme.
Dhe ndër arsyet janë edhe reformat që nuk kanë përfunduar ende – duke filluar nga ajo në drejtësi ku korrupsioni që mbetet ende problem dhe një fuqi blerëse që po rritet, por pa e futur ende Shqipërinë brenda vlerave të bllokut të BE-së.
Trashëgimia politike
Anëtarësimi në komunitet është ndoshta sfida e fundit e Ramës përpara largimit nga politika.
Ata që e njohin mirë shpjegojnë se duan të mbahen mend jo vetëm për atë që e ngriti vendin lart, por edhe për atë që e solli në duar më të sigurta dhe më të besueshme: ato të Bashkimit Evropian.
Zyrtarisht, kryeministri shqiptar nuk ka caktuar “pasardhës”, ai njihet si shumë i rreptë me të gjithë ministrat e tij, por sytë e të gjithëve janë tek Erion Veliaj, 43 vjeç, kryetar i Bashkisë së Tiranës që prej vitit 2015, ish-ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë në qeverinë Rama 1.
Veliaj ka kryer studimet universitare jashtë vendit. Ai ka një rrjet njohjesh ndërkombëtare për t’u patur zili. Dhe, sigurisht, shumë aktivitete shoqërore.