Gazetari sportiv Defrim Methasani bën një apel që të mos shpërndahen më thirrje në rrjetet sociale, për ndihmë për vajzën e saj e cila po kalon një periudhë të vështirë shëndetësore.
Methasani sqaron situatën në rrjetet e tij sociale, duke thënë se vajza e tij po kurohet në Gjermani dhe ndonëse familja po has një situatë jo të lehtë financiare, është porosi e vazjës, që edhe për shkak të keqkuptimeve në rrjet të mos bëhej publik rasti.
Mirëpo së fundmi nga miq dhe shokë të gazetari së pari në rrjetet sociale e mandej edhe në media, u shpërndanë thirrje për ndihmë, çka solli edhe këtë reagim të zotit Methasani.
“Sot portalet dhe shumë miq në facebook kanë postuar statuse dhe lajme të situatës shëndetësore të vajzës sime Luna, natyrisht me dëshirën e mirë duke bërë lutje dhe ndihmë për shërimin e saj. Ka 5 muaj në fakt që vajza ka probleme shëndetësore dhe ndodhet për kurim në Berlin në Gjermani.
Porosia e vajzës që kur ndodhi kjo situatë e papritur ishte që unë të mos postoja asgjë, sepse nuk duam që vështirësia dhe halli ynë, të bëhet objekt diskutimi edhe për ndonjë spekulim të pamerituar që na lëndon qoftë edhe padashje më shumë se edhe sëmundja e saj.
Unë vërtet kam patur nevojë për financa, sepse dihen çmimet atje, por falë miqve që kam ia kam dalë dhe ju jam shumë mirënjohës nga zemra. Unë e kuptoj dëshirën tuaj, por ju lutem nuk dua postime dhe lajme, sepse qetësia e vajzës më duhet më shumë se asgjë tjetër në këto momente.
Në dyert e shtetit realisht nuk kam trokitur, madje një telefonatë e ministres Ogerta Manasterliu sot, më kërkoi ta takoja për të qenë pranë meje. Unë i shpreha mirënjohjen, madje e falënderoj për interesimin atë”, shkruan Methasani.