Kreu i grupit mercenar rus Wagner, Yevgeny Prigozhin, i cili humbi jetën mbrëmë nga rrëzimi i aeroplanit me të cilin udhëtonte, ka publikuar pak ditë më parë mesazhin e tij të fundit për publikun.
Videoja, që besohet se është filmuar në Afrikë, u publikua të hënën në kanalet Telegram të lidhura me grupin Wagner.
“Temperatura është mbi 50 gradë Celsius, gjithçka si duam. Wagner po e bën Rusinë edhe më të madhe në të gjitha kontinentet. Drejtësi dhe lumturi për popullin afrikan, ne jemi një makth për ISIS-in dhe Al Kaedën”, shprehej Prigozhin.
Ai gjithashtu deklaroi se Wagner ishte duke rekrutuar njerëz dhe se grupi mercenar do të “përmbushte detyrat e përcaktuara”.
E ardhmja e Wagner dhe Prigozhinit ka qenë e pasigurt që nga qershori, kur ata organizuan një rebelim kundër institucionit ushtarak rus, me Kremlinin që më pas deklaroi se Prigozhin dhe disa nga luftëtarët e tij, do të transferoheshin në Bjellorusi.