Edhe ministri Italian i Bujqësisë, Francesco Lollobrigida që është dhe kunati i kryeministres Meloni ka qenë në udhëtim në Shqipëri, duke komentuar pagesën e faturës së papaguar të italianëve në një lokal në Berat tha se ishte çështje krenarie kombëtare.
“Ajo (Giorgia Meloni) ofroi të paguante faturën. Ambasadori ishte duke u kthyer për në Tiranë dhe ishte në dispozicion për ta bërë këtë,” tha ai për Reuters.
“Disa individë të pandershëm nuk mund të vënë në siklet një komb me njerëz të mirë,” shtoi Lollobrigida
Kryeministri Rama deklaroi se pret që 500,000 vizitorë nga Italia të vizitojnë Shqipërinë këtë vit. Shumë italianë shmangën udhëtimet e brendshme mes çmimeve në rritje dhe udhëtuan në vendin ballkanik ku akomodimi dhe lehtësitë e plazhit janë më të lira.
Shumë media të huaja, prestigjioze i kushtuan vëmendje përzgjedhjes së kryeministres italiane Giorgia Meloni për tiu bashkuar mijëra turistëve italianë që këtë verë zgjodhën bregdetin shqiptar për të bërë pushimet kjo për shkak të çmimeve të rritura në Itali.
pamjet e bëra nga një kamera e sigurisë pranë restorantit, pasi u shpërndanë në mediat shqiptare dhe në Tik Tok, tashmë ndodhen në faqet e para dhe të shumë mediave të rëndësishme italiane duke ngjallur indinjatë dhe mes italianëve.
Kryeministrja Giorgia Meloni u largua mbrëmjen 17 gushtit me tragetin Prince drejt Brindizit, ashtu siç edhe erdhi, pasi qëndroi 3 ditë si e ftuar në rezidencën qeveritare nga kryeministri Edi Rama. Bashkë me Melonin ishin dhe familjarët e saj dhe vajza e mitur.
Gjatë qëndrimit në Vlorë, Giorgia Meloni u tregua shumë e rezervuar në daljen në publik dhe përveç një udhëtimi me varkë në Karaburun, doli vetëm pasditen e djeshme nëpër rrugët e qytetit bregdetar, bashkë me Edi Ramën për një kafe në lokalet aty, e për të vizituar më pas Konsullatën italiane. Gjatë shëtitjes u takua me disa dhjetëra italianë që gjatë këtyre javëve kanë pushtuar Vlorën për pushime.