Ministri i Brendshëm Taulant Balla dhe Drejtori DVP Vlore Ermal Muçaj ishin të pranishëm në Spitalin Rajonal Vlorë, për të vizituar punonjësin e Policisë, i cili po merr mjekim në këtë spital, pasi mbrëmjen e djeshme u godit me thikë gjatë ndërhyrjes jashtë orarit të shërbimit, për të parandaluar përshkallëzimin e një konflikti.

Gjatë fjalës së tij, Balla deklaroi se do të “godasin” këdo që cënon ligjin dhe shteti do të reagojë me gjithë forcë mbi këdo që sulmon.
Sipas ministrit, kushdo që do të tentojë të ngrejë dorën kundër një punonjësi të policisë, reagimi kundër tij do të jetë shumë më i madh.

“Falenderoj të gjithë stafin e spitalit rajonal të Vlorës që bën të mundur ndërhyrjen gjatë natës së shkuar, pasi ka qene një operacion i gjatë që ka zgjatur disa orë, nga ora e 1 e 30 e mëngjesit deri në të gdhirë. Por për fat të mirë, të gjitha dëmtimet janë rikuperuar, pasi ka pasur dëmtime jo vetëm në enët e gjakut por edhe në organet vitale dhe shpresojmë që gjithçka të shkojë mirë. Falenderoj spitalin dhe punonjësit e tjerë të policisë, djemtë të cilët gjatë natës dhuruan gjak për të pasur të mundur gjithë nevojat që lindën. Besoj që në këtë orë të ditës mund të ndihemi të gjithë më të qete, jo vetëm si ministër i Brendshëm, por dhe Ermali si drejtues i Policisë, por dhe familjarët, pasi gjendja është stabilizuar dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Kushdo që do të tentojë të ngrejë dorën kundër një punonjësi të policisë, reagimi ynë do të jetë shumë më i madh. Jo vetëm atë që parashikon kodi penal, por është momenti që prokurorisë së rrethit gjyqësor Vlorë t’i kërkojë publikisht që ky rast të hetohet plotësisht dhe ndaj atij personi që guxoi të godas policin. Edhe të gjitha rastet e atyre që do të godasin policinë, duhet të kenë parasysh që po tentojnë të godasin shtetin dhe shteti do të reagojë me gjithë forcën e vetë ndaj kujdo që tenton të godasë punonjësin e policisë. Policia është për të ruajtur rendin dhe qetësinë publike”. u shpreh ndër të tjera Balla.