Nga Skënder Minxhozi
Lulzim Basha ka gjetur padashje një epitet që i shkon jo vetëm kundërshtarëve të tij brenda Foltores, por të gjithë kuadratit politik opozitar në tërësi. I ka quajtur “zombi” personat që i shkojnë pas Berishës, duke i akuzuar se mburren me faktin që “janë shumë”. Kreu i PD zyrtare nënkupton se ata mund të jenë shumë, por enden rrugëve pa një qëllim, pa një objektiv në horizont. Thjesht për t’i zgjatur jetën shefit plak!
Partisë Demokratike të Sali Berishës, jo asaj të njëzet vjetëve më parë që mbushte sheshet, po kësaj që i kanë rënë patkonjt, mund t’i vendosësh sot të gjitha epitetet dhe sërish të jesh brenda realitetit. Ose absurdit, sipas rastit. Kryetari historik i partisë më të madhe opozitare erdhi e pushtoi me forcë zyrën e paraardhësit të tij, për të parë sesi binin njëra pas tjetrës Shkodra, Tropoja dhe Dibra. Një fatalitet që do të linte indiferent vetëm një tufë me “zombi”, siç i quan Basha demokratët e Foltores.
Fabula tragji-komike e një lideri politik si Berisha i tretë, i cili premton çdo ditë nga mikrofonat revolucionin përmbysës, dallgën blu etj, e pastaj mbledh letrat nga tavolina e shkon paqësisht në zyrën e tij, është prova therëse se ky formacion politik ka vetëm të shkuar, por jo të ardhme.
Më pas vjen radha që simbolika e “zombit” politik të kalojë në filtër pjesën tjetër të opozitës. Dhe këtu nuk shpëton më as vetë krijuesi i metaforës, Lulzim Basha.
Prej javësh kryetari i vetëpezulluar i PD formale ka shfaqur planin për t’u rikthyer në krye të partisë me funksione të plota. Por sërish, gjatë këtij harku kohor, pasi ka dalë nga hija luksoze ku fshihej, Basha ka treguar edhe një herë se nuk di as të mësojë, as të ndryshojë.
Takimet e tij të pilotuara nëpër lulishtet e qyteteve, afishojnë të njëjtin politikan zëpak dhe pa peshë. Vijon të na shfaqet si një zëvendës i përjetshëm i shefit të vjetër, pa na bindur edhe një herë tjetër se mund të aspirojë që të bëhet edhe ai vetë shef dikur. Një klon i kryetarit të opozitës që humbi pesë zgjedhje rresht, jo një ofertë sfiduese ndaj pushtetit të socialistëve.
Lulzim Basha është edhe një herë shumë vonë. Ai duhet të ishte hedhur me kohë në diskurin publik, e jo të shëtiste lulishteve nëpër qytete me bluzën jeshile që vërtet ka krijuar njëfarësoj marke dalluese për mediat, por jo për votuesin e thjeshtë.
Basha vijon të mbetet politikani zëpak që bëlbëzon kur Rama e Berisha kanë pushtuar rrjetin social dhe mediat elektronike, duke u përpjekur t’i mbulojnë rrudhat dhe konsumin me protagonizëm të përditshëm. Paradoksalisht politikani që ka më shumë nevojë të shihet e të dëgjohet, tani flet me heshtje, ose thotë ndonjë frazë rrëshqitazi në ndonjë vaki. Në këtë prizëm ai duket i kapur dorë për dore me Metën, megjithëse nuk i ka hallet e këtij të fundit.
Kreu i PD zyrtare vetëafishohet si njeri i amerikanëve, ndërkohë që amerikanët kanë treguar shpesh se nuk i kanë fort për zemër politikanët me pak vota dhe pak peshë politike. Ju duken edhe ata si zombi.