Roberto Mancini nuk është më trajneri i kombëtares italiane të futbollit. Një dorëheqje e tij e papritur ka bërë që gjërat të ndryshojnë te të kaltrit, me drejtuesit që duhet të gjejnë zëvendësin e kampionit të Evropës.

Edhe pse me kontratë deri në 2026, Mancini vendosi të largohet më pak se një muaj nga dy ndeshjet e radhës kualifikuese për Euro 2024. Tanimë mediet në Itali kanë treguar edhe emrat që mund të ulen në stolin e ekipit.

Antonio Conte dhe Luciano Spalletti janë ata që prijnë listën, ndërsa janë lakuar edhe Cannavaro, Gattuso dhe De Rossi.

Emri i parë që vjen natyrshëm në mendje është ai i Luciano Spallettit. Ai është trajneri kampion i Italisë në fuqi, i cili u tregua i aftë për ta rikthyer Napolin në majat e futbollit italian pas tre dekadash.

Ai e ka pranuar në të kaluarën se është mjaft i gatshëm nga ideja për të bërë trajnerin e kombëtares. Aktualisht është plotësisht i lirë pasi ka zgjidhur marrëdhënien me Napolin dhe gjatë verës së gjatë të çmimeve dhe festimeve ai pranoi se tashmë i mungon futbolli. Ai mund të jetë duke pritur për një telefonatë.