Nga Mero Baze/
Ka një ofensivë diplomatike të ekzagjeruar të Greqisë në kërkim të lirisë për Fredi Belerin, kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, por që drejtësia nuk i mundëson betimin në gjendje arresti. Ndalimi i tij nga policia katër ditë para zgjedhjesh mund të ishte shmangur duke vazhduar hetimet deri të dielën, por ndërhyrja dhe kapja në flagrancë e çoi atë njëkohësisht në dy vende, në burg dhe në postin e kryetarit të Bashkisë. Nëse nuk do të ishte ndaluar ndoshta dhe nuk do të kishte fituar dhe mund të ishte arrestuar, çka do ishte dhe më keq për të. Por tani është e qartë se në këtë vend, në këto kohë, e vetmja adresë e pavlefshme për të kërkuar ndihmë tek drejtësia, është qeveria.
Pesë kryetarë bashkish janë në burg, nga të cilët katër shqiptarë dhe një i pakicës greke, secili për arsyet e veta, që nga seksi në zyrë, ryshfeti në zyrë apo leje ndërtimi dhe rrugë pa leje, e deri tek blerje votash. Katër bashkiakët e tjerë janë të Edi Ramës. Po ashtu disa ministra, përfshi zëvendëskryeministri i Edi Ramës, është i dënuar me burg. Nëse ka një gjë që Edi Rama e dëshiron me gjithë zemër, është ta ndihmojë dikush nga Evropa që ta ketë në dorë këtë punë, dhe të urdhërojë SPAK apo gjykatat t’i lirojnë ata që do ai.
Por në fakt të gjithë jemi dëshmitarë që jo vetëm nuk e bën dot, por përkundrazi SPAK përgjon kush është më afër tij për ta goditur. Tani kjo ofensiva diplomatike greke mbi Edi Ramën që ai të lirojë Belerin është pak qesharake. Ju siguroj se njeriu që e dëshiron më shumë këtë kompetencë është Edi Rama, por qeveria greke si vend i BE, duhet t’u mbushë mendjen atyre në Bruksel që Edi Ramës t’i japin një kompetencë të tillë, që të lirojë dikë nga burgu, nëse e dëshiron ai.
Puna është se Brukseli dhe Uashingtoni që kanë ndikim të drejtëpërdrejtë në reformën në drejtësi dhe veçanërisht te SPAK, bëjnë presion për të kundërtën, që Edi Rama të jetë i rrethuar nga drejtësia dhe i kanë shkuar deri tek paradhoma e tij me pranga në duar. Tani t’i thuash Edi Ramës na nxirr Belerin dhe lëri katër bashkiakët e tu në burg është pak teprim. Ose në të kundërt është mungesë serioziteti nga Greqia, si vend i BE.
Personalisht do isha i lumtur që Beleri të mos arrestohej por të mundej me vota, siç mund të ndodhte realisht. Por drejtësia nuk është në dorën time qe e doja të lirë, as të të tjerëve që e duan Belerin të varur. Më shumë është në dorë të dhe nën ndikim të 27 vendeve të BE dhe Uashingtonit. Madje më shumë se sa Ramën, SPAK ka frikë Berishën. Derisa nuk ja bën as atij këtë nder që e ka kandidat të tij, d.m.th nuk është e lehtë. Madje Beleri është i vetmi njeri i Berishës i arrestuar nga SPAK deri tani. Greqia ka plot miq në Uashington dhe Bruksel. Para se t’u kërkojë atyre të ndëshkojnë Shqipërinë pse drejtësia ka arrestuar Belerin, le t’u kërkojë atyre të lirojnë Belerin se mund ta arrijnë më lehtë. Kështu ndihmojnë dhe Ramën të ketë dhe ai mundësi të lirojë ndonjë të vetin. Pa ja arrestuar dhe gjysmën tjetër të qeverisë.