Edhe pse jo në normat kur mund të quhet sërish pandemi, Covid-19 ka filluar të rishfaqet në numra të konsiderueshëm në disa nënvariante të tij të cilat po shqetësojnë ekspertët, ndonëse për autoritetet mbetet ende në nivele jo alarmante.
Në Shtetet e Bashkuara këshillohet madje rikthimi të maskat sidomos për personat me probleme shëndetësore, madje po flitet edhe për një vaksinë të re që pritet të dalë në vjeshtë.
Duke cituar Dr. Jonathan Reiner, një kardiolog, CNN thotë se më të rrezikuar janë të moshuarit.
“Tetëdhjetëvjeçarët përbëjnë grupin me rrezikun më të lartë për ndërlikimet pas infeksionit Covid. Të paktën derisa numrat të fillojnë të bien përsëri, do të ishte e përshtatshme që Presidenti Biden të merrte disa masa paraprake dhe të mbante një maskë,” tha Reiner.
Grupe të tjera me rrezik të lartë përfshijnë njerëz me diabet, kancer, sëmundje kronike të mëlçisë, veshkave ose mushkërive, transplantim të organeve ose qelizave staminale, HIV ose kushte të tjera imunokompromentuese, një histori të sëmundjeve të zemrës ose goditje në tru, si dhe ata që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor.
Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve u bën thirrje njerëzve që të mbajnë maskë, ndonëse nuk bën një rekomandim të gjerë për të gjithë. Kjo mund të ndryshojë, sipas CNN, nëse shtrimet në spital arrijnë nivele kritike.
Një variant i ri, BA.2.86, ka tërhequr vëmendjen e shkencëtarëve për shkak se ka mutacion të lartë, por deri më tani është zbuluar vetëm në një numër të vogël njerëzish në mbarë botën.
Çfarë po ndodh me Covid-19?
CDC (Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve) ndaloi raportimin e numrit të përgjithshëm të rasteve me Covid-19 këtë vit, por një numër në rritje i shtrimeve në spital ka shkaktuar shqetësim tek ata që ndjekin sëmundjen.
“Nivelet e virusit janë dyfishuar”, tha Dr. Robert Wachter, profesor dhe kryetar i Departamentit të Mjekësisë në Universitetin e Kalifornisë në San Francisko.
Megjithëse variantet e reja të koronavirusit, si varianti dominues, EG.5 mund të mos e kenë nxitur vetë përshpejtimin e fundit, ato mund të jenë disi rezistente ndaj imunitetit të ofruar nga vaksinat dhe përforcuesit aktualë.
“Një përforcues i ri i krijuar për të mbrojtur më mirë kundër shumë prej llojeve të zakonshme qarkulluese të Covid-it do të dalë brenda një muaji”, tha Dr. Peter Chin-Hong, profesor i mjekësisë dhe një specialist i sëmundjeve infektive në Universitetin e Kalifornisë, San Francisko.
Përforcuesi i ri që vjen këtë vjeshtë do të synojë një familje nënvariantesh të Omicron të quajtur XBB dhe pritet të sigurojë mbrojtje të mirë kundër versioneve edhe më të reja, por shkencëtarët nuk janë të sigurt se sa i agresiv do të jetë BA.2.86.