Mark Zuckerberg ka hequr dorë nga dyluftimi i shumëpërfolur në kafaz me Elon Musk, duke pretenduar se shefi i Tesla-s “nuk po tregohet serioz”.
Dy rivalët miliarderë ranë dakord për një përleshje në qershor, kur Musk shkroi në Twitter se ishte “i gatshëm për një ndeshje në kafaz”.
Zuckerberg, shefi i Facebook e Instagram, iu përgjigj Musk në Twitter, duke u përgjigjur “më dërgo vendndodhjen”.
Megjithatë, të dielën ai tha në platformën e mediave sociale Threads: “Unë mendoj se të gjithë mund të biem dakord se Elon nuk është serioz dhe është koha për të vazhduar.”
Ndërsa shtoi: “Unë ofrova një takim të vërtetë. Dana White (shefi i UFC) ofroi ta bënte këtë një konkurs të ligjshëm për bamirësi. Elon nuk po konfirmon një datë, më pas thotë se do të bëjë një operacion dhe tani më kërkon të bëjë stërvitje në oborrin e shtëpisë time.
Nëse Elon e merr seriozisht dhe vendos një datë, ai e di se si të kontaktojë me mua. Përndryshe, është koha për të ecur përpara. Unë do të përqendrohem në garën me njerëz që e marrin seriozisht këtë sport.”
Musk, pronari i Twitter të cilin ai e ka riemërtuar X, sugjeroi se lufta do të mbahej në një “lokacion epik” në Itali.
Madje tha se kishte folur edhe me kryeministren italiane, Giorgia Meloni.
Tensionet kanë qenë të larta midis dy kompanive të miliarderëve të teknologjisë pas lançimit të aplikacionit Threads, nga Meta e Zuckerberg në korrik.