Dy persona, pronarë të një lokali në Koplik janë shpallur në kërkim, ndërsa një 43-vjeçar është vënë nën hetim në Malësi të Madhe, pas një operacioni policor që goditi një rast të aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit.

Janë shpallur në kërkim shtetasit Emirjon Hasaj dhe Klevis Peraj.

Njoftimi i Policisë:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se 2 shtetas kishin përshtatur lokalin e tyre, për organizim të kundërligjshëm të lojërave të fatit dhe për përdorim të lëndëve narkotike, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Slot Machine”.

Në kuadër të këtij operacioni u shpallën në kërkim shtetasit E. H., 34 vjeç dhe K. P., 19 vjeç, të dy banues në fshatin Pjetroshan, Malësi e Madhe.

Nga kontrollet, shërbimet e Policisë konstatuan se këta shtetas kishin përshtatur lokalin që kishin në bashkëpronësi, në Koplik, për organizim të lojërave të ndryshme të fatit dhe për përdorim të lëndës narkotike kokainë. Nga ky ambient, në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan një tavolinë për lojën “Poker”, 6 makineta për lojëra fati, letra bixhozi, çipsa, një sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë, një fishek armësh imituese dhe 1 celular.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin I. B., 43 vjeç, banues në Malësi të Madhe, pasi u kap në ambientet e këtij lokali.

Vijon puna për kapjen e 2 bashkëpronarëve.

Operacioni “Slot Machine” vijon.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Shkodër, për veprime të mëtejshme.