Nga Ben Andoni/
Prej anëtarësimit të Kroacisë në BE kanë kaluar shumë vite. Anëtarësimi i Bullgarisë dhe Rumanisë tashmë është harruar, kurse në axhendën e BE-së ose në platformën e saj për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor është tejkaluar çdo afat. Ndryshimi i rregullave të lojës dhe “harrimi” i objektivave të Samitit të Selanikut e bën ëndrrën evropiane shumë e shumë të largët për të gjithë rajonin. E theksojmë këtë sepse dy vendet Serbia dhe Mali i Zi, që e kanë nisur me kohë hapjen e kapitujve të Integrimit, mezi kanë mbyllur nga 2-3 syresh, kurse Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut me specifikat respektive, ku fqinjëve do t’u duhet dhe një votim i vështirë në parlament, duket tejet i vështirë. Ndërkohë në paradhomën evropiane “vigjilojnë” Athina dhe Sofja, që do t’ia bëjnë edhe më të vështirë udhën fqinjëve të vegjël. Kryeministri Micotaqis dhe e gjithë shpura e tij na e thanë në sy duke bërë dhe marifete qesharake si takimi informal i para pak ditëve më parë, kur shmangën Ramën, kurse Bullgaria pa ndryshmet e duhura të Maqedonisë së Veriut, do vendosë veton.
Paradoksi më i madh është se çdo qeveri e Tiranës, qoftë Majtas apo Djathtas, e ka pasur dhe e mban retorikën dhe në programin e vet integrimin, por edhe çdo veprimtari në funksion të saj. E habitshme se kjo frymë përcillet deri diku dhe në publik: Matjet e opinionit publik në vitet që do i paraprinin pandemisë 2018 dhe 2019, ku anketimet tregonin hapur një prirje pro-BE. Ishte një shumicë prej 59% pro në 2018 dhe 54% pro në 2019, kurse asokohe shqiptarët mendonin se Shqipëria ishte gati të hapte negociatat respektivisht në qershor të 2019 dhe Mars të 2020-ës.
Por i gjithë procesi, megjithëse tashmë e ka një stad, ka ecur aq ngadalë, e është aq i përfolur, saqë ka nisur të shtohet skepticizmi i aktorëve të ndryshëm. Grupimet e shoqërisë civile dhe media e përcjellin sistematikisht dhe tashmë me jo pak rezerva, por megjithatë publiku e ka të rrënjosur në kokë Shqipërinë në Evropë.
Në gjenezë të këtij qëndrimi janë vetë premtimet e BE-së. Mesazhi optimist i Brukselit në Selanik (2003) erdhi në një kohë kur Shqipëria ende kishte të hapura plagët e vitit 1997, Kosova po merrte më në fund frymë nga pogroni serb, plagët e Federatës së Bosnjë Hercegovinës ende rridhnin, kurse vetë Serbia po mblidhte veten nga katrahura e Ballkanit, që e kishte gatuar vetë. Por, ndërsa shpresa që vinte nga Brukseli ishte i madh, kriza e 2008 i ktheu gjërat në fillim. Franca dhe Holanda votuan kundër në referendumin për kushtetutën evropiane, kurse me kohë u kthyen në vendet që ua ngritën vazhdimisht stekën vendeve të Ballkanit. Jo pak herë dhe deri në kohët e fundit me shumë cinizëm.
Shqipëria një vend me një tranzicion të vështirë demokratik po e vuan si pakkush këtë shpresë dhe zhgënjim, që po i jep jetë thjesht autokratëve të saj, ndërsa shumë zhgënjim njerëzve. Më pak fjalë, kurrë më shumë se kaq në këtë përçarje politike, në këtë problematikë të madhe sociale, njerëzit nuk e shohin shpresën në vend. Ndaj, sytë mbesin te azilkërkuesit, por jo rruga evropiane e vendit që duket gati sizifiane. Darka e vonuar e Athinës me informalitetin e saj na e tregoi se gjithnjë para rrugës sonë do të ketë një pengesë, varësisht atij që do e krijojë. Nuk ka rëndësi Micotaqis, apo pasardhësi i tij. Evropa, pra, po mbetet koncept dhe është ëndërr, një e tillë që mund të krahasohet vetëm me simbolikën sizifiane. (Javanews)