Presidenti Erdogan në një bisedë telefonike me homologun rus Vladimir Putin i bëri thirrje liderit të Moskës të mos i përshkallëzojë më shumë tensionet, pasi Moska i sulmoi me dronë objektet jetike për eksportimin e drithërave nga Ukraina.
Putin i përsëriti kolegut të tij turk Rexhep Tajip Erdogan gatishmërinë e Moskës për të rihyrë në marrëveshjen për eksportin e sigurt të grurit nga Deti i Zi, vetëm kur Perëndimi të ketë përmbushur të gjitha detyrimet e tij ndaj Rusisë, të parashikuara nga marrëveshja.
Presidenti turk dhe homologu i tij rus Putin ranë dakord për një vizitë të këtij të fundit në Turqi. Kjo është bërë e ditur nga drejtoria e komunikimit të presidentit turk, pa specifikuar datën e vizitës. Javët e fundit Erdogan kishte deklaruar se Putin do të udhëtojë në Turqi gjatë muajit gusht.
Gjithashtu, Putin ka kërkuar mbështetjen e homologut të tij turk, Rexhep Tajip Erdogan për të eksportuar drithëra ruse dhe për të anashkaluar de facto sanksionet perëndimore, duke refuzuar të ringjallë marrëveshjen e eksportit të grurit të Detit të Zi që lejoi deri në mes të korrikut dërgimin e furnizimeve bujqësore të Ukrainës.
“Duke pasur parasysh nevojat ushqimore të vendeve më në nevojë, po zhvillohen opsione për të lejuar dërgesat e drithërave ruse”, thuhet në shënimin e Kremlinit duke iu referuar bisedës telefonike mes dy liderëve. “Ka një vullnet për të bashkëpunuar në këtë fushë me Turqinë dhe shtetet e tjera të interesuara,” tha Kremlini.