I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ditën e djeshme zhvilloi një takim në Maqedoninë e Veriut, i cili foli për politikat e brendshme të vendit por edhe për politikën që ndjek SHBA kundrejt rajonit të Ballkanit.

“Sa i përket kreut të opozitës, ajo që dua të shtoj gjithashtu është se unë nuk kam ardhur për t’i thënë se çfarë të bëjë dhe nuk kam ardhur këtu për t’i diktuar kushte. Por doja ta bëja të qartë se SHBA-ja zgjedh si partnerë në Ballkan ata që e afrojnë rajonin me Evropën, ata që tregojnë përkushtimin e tyre ndaj NATO-s dhe që vazhdojnë luftën kundër korrupsionit. Kjo është pritshmëria jonë. Ajo që po ndodh tani, me mundësitë që janë paraqitur, për avancimin e statusit kandidat të Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian, është pjesë e këtij proçesi. Unë nuk po kërkoj që njerëzit të mbështesin Qeverinë. Unë i kërkoj popullit, ju lutemi punoni me ne, për të mbështetur rrugën evropiane. Sepse do të na sjellë dobi edhe neve”, tha Escobar.
Ai gjithashtu foli edhe për edhe rolin e shteteve fqinje ku preku çështjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi. Escobar tha se SHBA kishte nevojën e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

“Dhe ka bërë shumë, kjo qeveri ka bërë shumë. Pra, unë gjithmonë kam një arsye për të qenë në Shkup, por duhet të them se pjesë e saj është se ne jemi shumë të kënaqur që procesi është i hapur. Sepse, si partner, Maqedonia e Veriut na ka ndihmuar për Afganistanin, për NATO-n, për Rusinë, për Ukrainën, madje na ka ndihmuar të krijojmë kushte për marrëveshjen historike për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Ne e vlerësojmë partneritetin tuaj në NATO dhe kemi nevojë për ju. Amerika gjithashtu ka nevojë për ju në Bashkimin Evropian”, tha Escobar.