Meme-ja e disa ditëve më parë ku Edi Rama krahasonte shqiptarët që iknin në Itali në vitin 1991, me turistët italianë që tashmë vijnë për pushime në vendin tonë, i ktheu të gjithë ‘prozhektorët’ e mediave italiane nga Kryeministri shqiptar.

“Kreu i Partisë Socialiste Rama javët e fundit po shijon suksesin e vendit në fushën e turizmit, me dhjetëra mijëra italianë që kanë ‘pushtuar’ plazhet e vendit të shqiponjave, të tërhequr nga kureshtja dhe mbi të gjitha nga një verë e qëndrueshme me çmime të lira.

Aq sa mbrëmjen e së martës, ai publikoi edhe një ‘meme’ në ‘Instagram’, një fotomontazh, ku me përballjen e dy fotove, atë të zbarkimit në Bari të anijes ‘Vlora’ në vitin 1991, krahason turistët italianë sot me shqiptarët që zbarkuan pas diktaturës në Itali”, shkruan ndër të tjera gazetari Lonard Berberi në “Corriere della Sera”, në rubrikën “Personazh” dedikuar kryeministrit Edi Rama.

Duke i bërë një skaner profilit politik të Ramës, shkrimi nis me fillimet e tij në politikë e mbyllet me përgjigjen aspak rastësore të pyetjes që shumë e kanë sot: Kush do të jetë pasardhësi i tij ose “trashëgimtari” politik?! “Kur Edi Ramës ‘i shkrepi’ në kokë në fund të vitit 2000, si kryetar i ri i Tiranës , se qyteti ishte i trishtuar, gri dhe kishte nevojë për ngjyra dhe mbi të gjitha se Lana duhej pastruar duke prishur të gjitha kioskat që ishin ndërtuar përreth, dikush filloi të frikësohej për sigurinë e tij fizike.

Sipas tyre, ky burrë i madh dy metrosh po shkonte kundër fuqive të vogla e të mëdha të vendit. Mbi të gjitha, ai donte të fitonte mbi një sistem, që për një dekadë ishte bazuar në ndërtime ekstreme të paligjshme dhe në korrupsion. Jo vetëm në kryeqyteti, por kudo në Shqipëri”, shkruan “Corriere”.

Një rikujtesë sesi Rama u afrua në politikë nuk mund të mungonte në profilin e tij.

“Në 1997 disa burra gati e rrahën për vdekje para shtëpisë së tij. Rama nuk pati asnjë dyshim që ‘regjisori’ i dhunës ndaj tij ishte presidenti i atëhershëm Sali Berisha, kreu i PD-së (i cili e ka mohuar gjithmonë lidhjen e tij me ngjarjen).

Pas një periudhe të shkurtër qëndrimi në Paris, për t’u rikuperuar dhe për të bërë gjërat që i pëlqenin (pikturën), ai u kthye në Tiranë, ku ndërkohë era e ndryshimeve kishte filluar të ndihej pak. Qeveria socialiste e thirri atë për ta bërë ministër Kulture, detyrë që e ushtroi nga viti 1998, dhe në vitin 2000 Rama u zgjodh nga 54% e qytetarëve të Tiranës si kryebashkiaku i kryeqytetit shqiptar. Kur filloi t’i rikthente fytyrën qytetit, dikush qëlloi edhe në dritaren e shtëpisë së tij, por pa plagosur njeri”.

Koha si kryebashkiak dhe “bojatisja” plot ngjyra e Tiranës, shihet sipas Corriera Della Sera-s, si starti i ngritjes së tij drejt pushtetit.

“Katër vjet më vonë, me ndërtesat e ringjyrosura, me kuriozitetin rreth tyre dhe me vëmendjen e paprecedentë që mori në mediat perëndimore, Rama u njoh si kryebashkiaku me i mirë i botës me titullin ‘World Best Mayor’. Prej këtu ngritja në drejtimin e qeverisë është bërë e pandalshme, edhe për shkak të qasjes së tij properëndimore”.

Por edhe profili i tij kontrovers, është në syrin e gazetarit Berberi, pjesë e rrugëtimit politik të Ramës.

“Shumë aktiv në rrjetet sociale”, është konstatimi që bën ai në gazetën italiane duke cituar madje vetë Ramën për ta konfirmuar: “Qeveria ime jeton në modernitet dhe përdor të gjitha mjetet e komunikimit”, thotë Rama gjithmonë.

Me një opozitë që po përpiqet të gjejë liderin e saj të referencës, kryeministri shqiptar është bërë i njohur jashtë vendit për dy anë të tij. Nga njëra anë, për veprimet politike që bien në kundërshtim me trendin e kohës; ai ishte i pari në botë që garantoi azil për refugjatët afganë pas kthimit të talebanëve ose për linjën e drejtpërdrejtë me liderët serbë, edhe në mes të tensioneve me Rusinë dhe Kosovën.

Nga ana tjetër, për imazhin e tij «artistik» si mungesa (në të shumtën e rasteve) e kravatave, apo atleteve që vesh, video-selfie para Kryeministrisë në Tiranë me kryeministrin e atëhershëm italian Matteo Renzi, përqafimi tepër i dashur me kryeministren aktuale, Giorgia Meloni qershorin e kaluar në samitin e BE-së në Moldavi. Ai ishte gjithashtu një nga drejtuesit e pranishëm në funeralin e Silvio Berlusconit”.

Marrëdhëniet me Evropën dhe ideja e Ramës për “Evropën e Bashkuar” gjithashtu kanë shënjuar politikën e kryeministrit shqiptar: “I dashuruar me Italinë, ai nuk humb rastin të thotë se të dy vendet janë thuajse pjesë e të njëjtit realitet dhe se italianët janë ‘vëllezër’ të shqiptarëve.

Në një intervistë për Corriere në 2015-të, Rama i ftoi italianët që të shpërngulen në Shqipëri, mbi të gjitha për të investuar: ‘Është edhe vendi juaj’. Një evropian i hekurt, ai ka pohuar prej kohësh se ‘Shtetet e Bashkuara të Evropës’ duhet të ndërtohen sepse ‘është e vetmja mënyrë për të garantuar një të ardhme për kontinentin’, por çdo herë ai zhgënjehet nga Brukseli që shtyn hyrjen e vendit të tij në Bashkimin Evropian për arsye të tjera. Dhe ndër arsyet janë edhe reformat që nuk kanë përfunduar ende – duke filluar nga ajo në drejtësi – korrupsioni që mbetet ende problem”.

Dhe në fundi, trashëgimia. “Corriere della Sera” parashikon se anëtarësimi në BE i Shqipërisë mund të jetë sfida e fundit politike e Ramës.

“Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është ndoshta sfida e fundit e Ramës, përpara largimit nga politika. Ata që e njohin mirë thonë se do që të mbahet mend jo vetëm si ai që e zhvilloi vendin, por edhe si ai që çoi vendin në duar më të sigurta dhe më të besueshme: ato të Bashkimit Evropian. Zyrtarisht, kryeministri shqiptar nuk ka caktuar një ‘pasardhës’, ai njihet si shumë i rreptë me të gjithë ministrat e tij, por të gjithë sytë janë tek Erion Veliaj, 43 vjeç, kryetar i Bashkisë së Tiranës që prej vitit 2015-të, ish-ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë në qeverinë Rama. Ka mbaruar studimet universitare jashtë vendit, me një rrjet njohjesh ndërkombëtare për t’u patur zili. Dhe, sigurisht, shumë aktiv në shoqëri”, mbyllet profili politik i Kryeministrit Edi Rama në “Corriere della Sera”.

Kryeministri Edi Rama gjatë një tjetër interviste po për gazetën italiane “La Stampa”, foli edhe për situatën e tensionuar mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, konflikti në Kosovë mund të bëhet i madh, edhe pse në shkallë të vogla. Për homologun e tij të Kosovës, Albin Kurti, Rama u shpreh se ai është kokëfortë, por theksoi se e respekton qëndrimin e tij.

Ndërsa për Serbinë, Rama u shpreh se “ajo ka një të kaluar shumë serioze si agresore, është autore e një spastrimi etnik që duhet ta lërë pas”.

“Unë e respektoj atë, por do të bëja zgjedhje krejtësisht të ndryshme. Ai është i kokëfortë dhe maksimalist. Ka një mundësi fantastike, planin e paqes franko-gjerman. Marrëveshjet nuk qëndrojnë në tavolina përgjithmonë. Pastaj, historia të bën të presësh. Serbia duhet parë ndryshe. Ajo ka një të kaluar shumë serioze si agresore, është autore e një spastrimi etnik që duhet ta lërë pas. E ka ndërtuar politikën e saj të jashtme si një korridor pasqyrash midis Perëndimit, Rusisë dhe Kinës. Serbia duhet të marrë një vendim, por mendoj se do të zgjedhë Perëndimin, botën demokratike.

Askush nuk mund ta ritrazojë Ballkanin nëse nuk i japim shanse. Konflikti në Kosovë mund të bëhet i madh, edhe pse në shkallë të vogla. Situata e pakicës serbe në veri mund të kthehet në një Donbass i vogël. Ëndrra e Putinit. Por Serbia nuk mund të jetë Rusi, edhe sikur të donte”, tha Rama.

Lidhur me miqwsine me Presidentin Turk ai deklaroi: “Turqia ka një rol shumë të rëndësishëm për stabilitetin dhe sigurinë e Europës dhe është një bashkëbiseduese e aftë midis Ukrainës dhe Rusisë. Por nuk mendoj se ka çelësin magjik për ndryshimin e një vizioni imperialist, antidemokratik dhe shovinist si ai i Putinit. Të gjitha luftërat përfundojnë në tavolinën politike, por fatkeqësisht do të duhet ende shumë kohë”.