Katër persona janë arrestuar pasi akuzohen se kanë kanosur me armë zjarri, pronarin e një biznesi, që të tërhiqte kallëzimin për njërin nga të arrestuarit, për vjedhje në biznesin e tij.

Ngjarja u shënua në lagjen “Kastrioti”, Fushë Krujë ku policia u njoftua për një konflikt me armë zjarri.

Në kuadër të operacionit të koduar “Step by step” u bë arrestimi i shtetasve:

Elton Babasi, 25 vjeç, Altin Hima, 18 vjeç, të dy banues në fshatin Zallë; Sadri Hima, 42 vjeç dhe Aurel Hasa, 18 vjeç, të dy banues në Borizanë.

Sipas policisë Sadri Hima dyshohet ka vjedhur në një biznes (njësi tregtare makinash), në pronësi të shtetasit B. H., i cili ka bërë kallëzim në Polici, për Himën. Më pas, shtetasi Sadri Hima bashkë me 3 miqtë e tjerë të arrestuar, ka kanosur me armë zjarri tregtarin e makinave për të tërhequr kallëzimin.

Gjithashtu, nga veprimet hetimore dyshohet se shtetas Sadri Hima ka kultivuar bimë narkotike që janë gjetur në fshatin Picrragë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë gjahu çifte, 2 celularë dhe bimët e dyshuara narkotike kanabis.